27 vite nga ndërhyrja në Kosovë, Denion Meidani: Liria nuk erdhi rastësisht
Ambasadori Denion Meidani ka përkujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO në Kosovë, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar që ndali spastrimin etnik dhe hapi rrugën drejt lirisë.
“Një ndërhyrje që ndali spastrimin etnik, riktheu shpresën dhe i hapi rrugën lirisë”, theksoi Meidani.
Ai rikujtoi se në një nga momentet më të rënda për popullin shqiptar në Kosovë, ndërkombëtarët vendosën të veprojnë. “Kur Kosova po përballej me shfarosje, bota zgjodhi të veprojë. NATO ndërhyri. Shqiptaria u bë një. Ishim një. Në dhimbje, në qëndresë, në besim”, u shpreh ai.
Në mesazhin e tij, Meidani veçoi edhe rolin e Shqipëri gjatë asaj periudhe, duke e cilësuar si një strehë për mijëra refugjatë. “Shqipëria u kthye në strehë, në familje, në mbështetje pa kushte për çdo shqiptar që kishte nevojë. Ishte një moment kur solidariteti nuk u tha, por u jetua”, deklaroi ai.
Sipas tij, ndërhyrja e NATO-s dëshmoi se përdorimi i forcës, kur vihet në shërbim të mbrojtjes së jetës, është i domosdoshëm. “Bashkë dëshmuam se ka momente kur forca, kur vihet në shërbim të jetës, nuk është zgjedhje; është detyrim”, tha Meidani.
Në përfundim, ai theksoi rëndësinë e datës 24 mars si një kujtesë historike për rrugën drejt lirisë. “24 Marsi mbetet kujtesë se liria nuk erdhi rastësisht. Ajo erdhi sepse të gjithë bashkë vendosën të mos qëndrojnë duarkryq. Gjithmonë bashkë. Krenarë. Mirënjohës”, përfundoi ambasadori. Gazeta Flaka
















