28 shoferë ndalohen në Maqedoni për vozitje të papërgjegjshme, shumica pa patentë
Policia e Maqedonisë së Veriut ka zhvilluar kontrolle në gjithë vendin, duke ndaluar 28 shoferë për vozitje të papërgjegjshme gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pjesa më e madhe e rasteve kanë të bëjnë me persona që drejtonin automjete pa leje drejtimi. Nga 28 shoferët e ndaluar, 25 prej tyre nuk posedonin patentë shoferi.
Rastet janë regjistruar në disa qytete të vendit, përfshirë Shkupin, Manastirin, Tetovën, Kërçovën, Velesin, Kumanovën dhe zona të tjera.
Policia ka bërë të ditur gjithashtu se disa persona janë kapur duke drejtuar automjete pavarësisht ndalimit aktiv për vozitje, ndërsa një shofer në Gjevgjeli është ndaluar për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
Pas përfundimit të procedurave, ndaj personave të përfshirë pritet të ngrihen kallëzime përkatëse.
MPB u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë, nën ndikimin e alkoolit apo gjatë periudhës së ndalimit, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik.
Flaka
















