98,88% e votave të numëruara, kanë mbetur edhe 28 kuti pa u procesuar: Opozita mbi 317 mijë vota
Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare në Kosovë po afrohet drejt fundit, ndërsa të dhënat më të fundit të publikuara nga KQZ tregojnë se deri tani janë numëruar 2.470 kuti votimi nga gjithsej 2.498, ose 98,88% e numrit të përgjithshëm.
Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdon të kryesojë me 43,03% të votave, duke grumbulluar 296.891 vota.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 21,09% ose 145.516 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 17,66%, përkatësisht 121.877 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) deri tani ka marrë 7,20% të votave, apo 49.652 vota.
Në total, tri partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë grumbulluar 317.045 vota së bashku, që është 20.154 vota më shumë se rezultati individual i Vetëvendosjes.
Pas numërimit të 2.470 kutive, kanë mbetur edhe 28 kuti votimi pa u procesuar, ndërsa rezultatet preliminare po afrohen drejt pasqyrës finale të procesit zgjedhor. Gazeta Flaka
















