Siguri dhe stabilitet në furnizim – Tubacioni Selanik–Shkup në funksion pas dekadash!
Tubacioni që lidh Selanik me Shkup për transportin e derivatit dizel është rikthyer në funksion pas 13 vitesh, duke shënuar një hap të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e furnizimit me karburante.
Ministria e Energjetikës njoftoi se janë kryer të gjitha kontrollet e nevojshme teknike për funksionalitetin e sistemit, me pjesëmarrje të Byrosë për Metrologji, Institutit Metrologjik Çek (CMI) dhe laboratorit “Metron” nga Selanik, në prani të përfaqësuesve të Shërbimit Doganor.
Ministrja Sanja Bozhinovska theksoi se korrektësia teknike dhe saktësia e matjeve janë parakushte kyçe për funksionimin e sigurt dhe transparent të infrastrukturës energjetike. Ajo shtoi se rikthimi i tubacionit garanton besim, stabilitet dhe siguri afatgjatë në furnizimin me derivate.
Tubacioni ka gjatësi prej 213,5 km, me 15 stacione bllok-ventilimi, kapacitete deponuese prej 80.000 m³ në Selanik dhe 30.000 m³ në Shkup, si dhe sistem bashkëkohor SCADA për monitorim të presionit, temperaturës dhe qarkullimit në kohë reale, duke garantuar një operim të sigurt dhe efikas për vitet në vijim.
Ky rikthim i tubacionit, i cili fillimisht ishte vënë në funksion për naftë të papërpunuar në vitin 2022 dhe është ridedikuar për derivatet dizel pas vitit 2013, përforcon rëndësinë strategjike të lidhjeve energjetike ndërkombëtare dhe stabilitetin e tregut të karburanteve në Maqedonia e Veriut.















