Katër të arrestuar për mashtrim me pronë në Prishtinë, dëmi mbi 1.5 milion euro
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se katër persona janë arrestuar nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të mashtrimit, duke shkaktuar dëm material në vlerë mbi 1.5 milion euro.
Pas ndalimit prej 48 orësh, gjykata ka caktuar ndaj tyre masën e paraburgimit prej një muaji. Të dyshuarit, M.M., S.B., D.R., dhe B.Z., dyshohet se kanë mashtruar palën e dëmtuar H.M. duke shitur një pronë me dokumente të falsifikuara.
Sipas Prokurorisë, dy nga të arrestuarit dyshohen edhe për veprat penale të tjera: M.M. për falsifikim dokumentesh dhe D.R. për legalizim të përmbajtjes së rreme.
“Në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, të pandehurit i kanë shkaktuar dëmtuarit H.M. dëm material në vlerë prej 1.578.180,00 euro”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka nxjerrë urdhër ndalues për parcelat e përfshira, pasi prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe transferuar në mënyrë të kundërligjshme. Gjykata ka marrë kërkesë për të mbajtur këto parcela të ndaluara deri në përfundim të procesit penal.
Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, për veprën penale mashtrimi parashihen 3 deri në 10 vjet burgim, ndërsa për falsifikim dokumenti ose legalizim të përmbajtjes së rreme parashihen dënime deri në 8 vjet burgim ose gjobë, varësisht nga rrethanat.
Flaka















