Qeveria që na duhet
Nga Edison Ypi
Të zgjidhen si duhet emrat e përshtatshëm që meritojnë të kryejnë detyrat sa të larta e të vështira të një qeverie që na duhet, teknike, kalimtare, provizore, quaje si të duash, është detyra urgjente që duhet të na preokupojë të gjithëve për të na nxjerrë një minutë e më parë nga kullat e fildishta, guackat familiare, kolltuqet e rehatit, dyshekët e ngrohtë, shtretrit e dafinave mbi të cilët na ka zënë gjumi, dhe t’i futemi punës si turku supës për t’i bërë sa më shpejt realitet ëndërrat në shkop që populli liridashës shqiptar prej shekujsh me sy hapur sheh.
Meqënse, me gjasa, ministrat e qeverisë në fjalë, do jenë më tepër të “asaj” se të “kësaj” bote, do ketë probleme logjistike lidhur me varrosje-çvarrosjen e mishrave të kalbura, skeleteve të hallakatura, kockave të thyera. Megjithatë s’është për tu dekurajuar. Për një qeveri individësh me kontribute të shquara me fakte dhe jo me llogje, me pak dëshirë dhe shumë punë, zgjidhja gjithmonë gjindet.
Në mënyrë që edhe populli ynë i lavdishëm i shumvuajtur të ketë më së fundi qeverinë që meriton, ja një listë e mirëmenduar, e vetmja që mund ta nxjerri Kombin nga gjëndja e trazuar ku ndodhet, nga moçali ku është zhytur e mbytur, brenda të cilit moçal lahet, shplahet, krihet, hekuroset, ha, pi, vishet, mbathet, bën qef, udhëton, hedh ickla, por s’dihet, dhe as kuptohet, pse thotë se po lëngon.
Kryeministër, teneqexhiu që ka dhënë edhe jetën nëpër biruca për një qeverisje shembullore sa më demokratike – Koçi Xoxe.
Ministër i Jashtëm, kaurri europian që për ardhmëninë e Shqipërisë dhe iluminimin e shqiptarëve iu nënështrua sakrificës më sublime që mund të imagjinohet, u bë synet – Princ Vidi.
Ministër i Luftës, kush mund ta kryejë më mirë këtë detyrë sa të shenjtë e të vështirë se Haxhi Qamili që e kishte më kollaj të pushtonte Anglinë dhe Gjermaninë se sa Kavajën dhe Ndroqin ?
Ministër i Rendit, e vetmja zgjedhje që nuk guxon ta kundërshtojë askush – Xhaferr Deva.
Ministër i intrigave, Beu qefli me nam i kupacit të gjizës së Shijakut dhe balerinave të Parisit – Esat Toptani.
Ministër i Diversantave – Ekrem Bardha, lum ai që s’e njeh.
Ministër pa portofol, kqyrës i natyrës dhe thurës i vargjeve rrënqethës, ndonjëher edhe tallës deri therës – Lasgush Poradeci.
Ministër i Turizmit Biblik, ai që çudinë mrekulluese frymëndalëse të miliona turistave e ideoi dhe e mundësoi – Shtatlartësia e Tij.
Ministër i tallavasë, urrejtësi më i egër i saj, i vetmi që kësaj katandisje artistike i vjen hakut – Frederik Ndoci.
Ministër i Qënërisë mund të emërohet secili nga legenat e banaqeve, por s’do ishte keq dhe një budalla kok shinik çun oficeri që bën si sapient, si intelektual i ndritur, si aristokrat i thekur, që ja harrova emrin, ama, me apo pa dashje, në rëntë në gojën time, do e ha dhe do e pështyj disa herë si frulatori supën e perimeve.
Ministreshë e shkopave të çadrave, atyre të diellit të plazhit, dhe atyre të shiut të ngatrresave verbale-kuptimore – Olta Xhaçka.
Ministreshë e futjes së dy këmbëve në një këpucë kundërshtarit politik përmes retorikës brilante, ajo që duke ushtruar talentin mahnitës s’kursen askënd – Elisa Spiropali.
Ministër i përdhosjes pa asnjë arsye dhe pa asnjë të drejtë të ambasadorëve, trupave diplomatike, sharjes me libër shtëpie diplomatët e akredituar në Tiranë, ai që këtë turp e ka zanat – Xhahil Sahanlëpirsi.
Ministër fuqiplotë i administrimit Shkumbin e tatëpjetë – Doktori.
Ministër i gjithpushtetshëm Shkumbin e përpjetë – Ilir Meta.
Ministër i Etimologjisë Folklorike, ai që mender shkencën në fjalë e ka nxjerrë nga brima e bythës – Petro Zheji.
Ministër i bijve budallenj dhe nipërve idiotë – Ahmet Zogu.
Ministër i kafshërisë, rrugaçërisë, imoralitetit, ordinerllëkut, spiunllëkut, hajdutllëkut – Azem Hajdari.
Ministëri i Numizmatikës atdhetare patriotike – Artan Lame.
Iniciator, flamurtar, pionier, maratonomak, theror, dëshmor, i përhapjes së arsimit, kulturës, Artit, Letërsisë – Henri Çili.
Ministër i inteligjencës artificiale, urrejtësi congenital i saj – kaurri Aurel Plasari.
Ministër i Rënkimeve, Psherëtimave, Ofshamave, askush më i përshtashëm se madhështori – Piro Kuqi.
Ministër i Antikorrupsionit – Mitat Frashëri.
Ministër i Bejlerllëkut genuin – Rushan Bej Pacomiti.
Ministër i Vigjilencës proletare, nga të parët që prej kësaj vigjilence e pësoi me varje në litar – Hamit Matjani.
Ministër i Kulturës dhe Trashëgimisë Artistike – Karavidh Kacapidhi.
Ministër i operacioneve plastike, goja pridh, pridhi gojë, surrati allçi, bytha llastik – njëri nga të dy, Paris Pordha ose London Kaka.
Ministreshë e Tranzicionit, Moralit, Mallit për Gjyshen, fenomenalja filozofe poliglote që po tund dheun e po gris qiellin – Lea Ypi.
Ministër i Antikomunizmit – Uran Butka ose Çelo Hoxha, dhe pak e kanë, meritojnë më tepër.
Ministër i Pilafit me mish e raki – Pali Miska ose Rita Marko.
Ministër i Intrigave dhe torturave – kurvi ose Kadri Hazbiu.
Zëvendësministrat dhe drejtorët e qeverisë që na duhet do jenë shumica diversanta. Kusuri do jenë pisanjosa nga Uzina e traktorave, Ferma Gjergj Dimitrov, Azotiku i Fierit, Superfosfati i Laçit.