Bekim Rexhepi (BDI): Diskursi i VMRO-DPMNE ndaj shqiptarëve ka nxitur ndarje dhe tensione
Përfaqësuesi i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bekim Rexhepi, ka reaguar ndaj diskursit që, sipas tij, VMRO-DPMNE ka përdorur gjatë periudhës sa ishte në opozitë, duke e cilësuar atë si përçarës dhe të rrezikshëm për marrëdhëniet ndëretnike në vend.
Sipas Rexhepit, kjo parti kishte ndërtuar një narrativë se shqiptarët “kanë marrë më shumë se sa u takon”, duke e përsëritur këtë qëndrim në komunikime të ndryshme politike dhe diplomatike, si brenda vendit ashtu edhe me faktorë ndërkombëtarë.
Ai vlerëson se një qasje e tillë ka ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e perceptimit publik, duke helmuar elektoratin maqedon dhe duke nxitur ndarje e tensione ndëretnike.
“Kur barazia paraqitet si teprim, atëherë problemi nuk janë të drejtat e shqiptarëve, por vetë pranimi i barazisë si standard demokratik”, thekson Rexhepi.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim shtojnë se diskursi i tillë rrezikon të relativizojë të arriturat e shqiptarëve ndër vite dhe të cenojë karakterin multietnik të shtetit, duke paralajmëruar se ndarja nuk sjell stabilitet, por tensione të reja në shoqëri.
















