Gostivar, ndahet nga jeta artisti dhe instrumentalisti i shquar Faruk Nuhiu
Shpend Bajrami
Ndahet nga jeta artisti dhe instrumentalisti i shquar (kitarist), Faruk Nuhiu, njëri ndër themeluesit e Shoqërisë Kulturore Artistike “Besa” – Gostivar, e cila më vonë do të njihej si Ansambli Vokalo-Instrumental “Besa” – Gostivar.
Faruku (daja im nga nëna), së bashku me vëllain e tij Remzi Nuhiu dhe bashkëpunëtorë të tjerë, përbëjnë bërthamën themeluese të kësaj shoqërie. Gjenerata e tyre, në vitet ’70–’80, shënoi një kthesë të madhe kulturore në Gostivar dhe më gjerë, në mesin e popullatës shqiptare në Maqedoni, duke kurorëzuar melosin muzikor në një organizim të mirëfilltë artistik, të pasur me këngë dhe valle.
Ata patën një rol të jashtëzakonshëm edhe në emancipimin shoqëror, duke inkurajuar të rinjtë – djem dhe vajza – të bëhen pjesë e jetës artistike në një kohë kur pjesëmarrja e vajzave në aktivitete të tilla ishte pothuajse tabu. Me përkushtimin e tyre, i dhanë qytetit dhe qyteteve shqiptare në Maqedoni një identitet të ri kulturor dhe një imazh të denjë qytetar.
Faruku ishte ndër figurat kyçe që, fillimisht përmes familjes e më pas përmes rrethit shoqëror, ndërtoi besim dhe autoritet në komunitet, duke ndikuar që shumë të rinj t’i bashkohen shoqërisë kulturore artistike. Edhe sot, ky brez kujtohet me respekt të veçantë dhe me fjalët më mirënjohëse. Një organizim i tillë, me atë nivel përkushtimi dhe serioziteti, i mungon ende sot qytetit.
Ai ishte i ftuar edhe në emisionet artistike të TV Shkupit të kohës, ku programi në gjuhën shqipe transmetohej në minuta të kufizuara nga regjimi komunist. I veshur me kostum kombëtar, me çifteli në dorë dhe me këngë në shpirt, Faruku ishte gjithmonë një përfaqësues dinjitoz i kulturës sonë.
Faruk Nuhiu do të kujtohet gjithashtu si një nga figurat që solli risi në organizimin e dasmave shqiptare, duke qenë ndër të parët që filluan të organizojnë muzikën në oborret e darsmorëve, duke i dhënë një dimension të ri festës tradicionale.
Sot, me dhimbje të thellë e përcjellim për në banesën e fundit, por njëkohësisht me krenari për kohën që e patëm dhe për kontributin e çmuar që dha për kulturën shqiptare në Maqedoni.
Prehu në paqe, artist Faruk Nuhiu.
















