Shuhet akademiku, shkrimtari dhe mendimtari i shquar Rexhep Qosja
Sot u nda nga jeta akademiku, shkrimtari dhe mendimtari i shquar Rexhep Qosja – një prej figurave më të rëndësishme të mendimit dhe letërsisë shqiptare të kohës sonë.
Ceremonia e varrimit është zhvilluar në mënyrë private, në praninë vetëm të anëtarëve të ngushtë të familjes.
Me dëshirën e të ndjerit dhe të familjes, nuk do të organizohen ceremoni pritjeje, homazhe apo tubime publike përkujtimore.
Familja thekson se nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale apo aktivitete publike dhe kërkon nga mediat dhe opinioni publik që të respektojnë privatësinë e plotë në këtë periudhë zie.
Në këto momente të vështira, familja apelon për mirëkuptim dhe respekt, duke kërkuar që dhimbja të përjetohet në qetësi dhe larg vëmendjes publike.
“Vepra e tij letrare dhe studimore ka lënë gjurmë të thella në kulturën shqiptare, duke e pasuruar atë me analizë të mprehtë, qëndrim kritik dhe përkushtim të palëkundur ndaj çështjes kombëtare. Qosja ishte zë i fuqishëm i ndërgjegjes intelektuale shqiptare, i cili nuk hezitoi kurrë të flasë për të vërtetën dhe identitetin tonë kulturor e historik”, shprehet Driton Zenku, kryeredaktor në Flaka.

Humbja e tij përbën një boshllëk të madh për kombin shqiptar dhe për botën akademike në përgjithësi. Trashëgimia e tij do të mbetet udhërrëfyes për brezat që vijnë.
Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë lexuesve të veprës së tij. Gazeta Flaka
















