Nikllovski sulmon partinë “E Majta”, kritikon Edi Ramën dhe del në krah të Ilir Metës – reagon Sefer Selimi!
Ministri Aleksandar Nikllovski ka akuzuar partinë E Majta se nuk guxon të flasë për zhvillimet në Pogradec, pasi sipas tij nuk kanë fuqi t’i kundërvihen kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
“Ishim me kolegët në UNESCO dhe na thanë se spiunimi kryesor vjen nga brenda. Vet po e spiunoni vendin (në UNESCO), ama për Pogradecin nuk guxoni të spiunoni sepse nuk keni fuqi të flisni për atje. Të kundërshtoni Edi Ramën për atë se çfarë po bëhet në anën tjetër. Shkoni i gjunjëzoheni Enver Hoxhës… të njëjtëve ju i gjunjëzoheni dhe i keni miq” – deklaroi Nikllovski.
Analisti Sefer Selimi ka komentuar reagimin e ministrit:
“Aleksandar Nikollovski qenka merakosur për Ilir Metën. Mirë që gjen kohë të merret edhe me Edi Ramën dhe madje të japë ‘vlerësime strategjike’ për Shqipërinë, deri aty sa të konstatojë me vetëbesim se Shqipëria nuk do të bëhet asnjëherë pjesë e Bashkimit Evropian.”
Selimi gjithashtu vuri në dukje se, ndërkohë që Nikllovski “mban gajlen e Pogradecit”, nuk ka thënë asnjë fjalë për hotelin e ish-shefit të tij, Sasho Mijalkov, apo për akuzat për pronat e tij në brigjet e liqenit të Ohër, në Sveti Spas.
Ai paralajmëroi se në periudhën e ardhshme Nikllovski mund të angazhohet edhe për çështje më të rëndësishme për drejtësinë në Maqedonia e Veriut, siç është ekstradimi i ish-kryeministrit dhe mikut të Ilir Metës, Nikola Gruevski. Gazeta Flaka


















