Korridori 8 dhe projekti Bllacë–Shkup në rrezik, BDI: Qeveria po anulon perspektivën zhvillimore
Faton Pollozhani nga BDI deklaroi se me ardhjen e VLEN-it në pushtet, jo vetëm që ka mungesë zhvillimi, por edhe zhbërje të projekteve të rëndësishme infrastrukturore të ndërtuara ndër vite.
Në një konferencë për media, ai theksoi se anulimi i segmentit Trebenishtë–Qafë Thanë nga Korridori 8, sipas tij, konfirmon paralajmërimet e mëhershme të BDI-së, të cilat fillimisht ishin mohuar nga përfaqësuesit e qeverisë.
“Para një muaji u tha se projekti nuk ishte në rrezik dhe se gjithçka po vazhdonte normalisht. Sot e vërteta doli në shesh – projekti nuk vazhdon. Kjo tregon se atëherë u gënjye, ndërsa sot po tentohet të fshihet realiteti,” deklaroi Pollozhani.
Ai shtoi se nuk bëhet fjalë vetëm për anulim të një rruge, por për, siç u shpreh, “anulim të një perspektive zhvillimi dhe të një korridori strategjik me rëndësi shtetërore”.
Lidhur me arsyetimet për ndikimin e UNESCO-s, Pollozhani i cilësoi ato si të pabazuara, duke theksuar se me vullnet politik mund të gjenden zgjidhje.
“Problemi nuk është teknik, por politik dhe i qëllimshëm,” tha ai, duke drejtuar përgjegjësinë kah VLEN-i si pjesë e qeverisë.
Sipas tij, VLEN nuk ka reaguar për projektet që lidhen me Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa përmendi edhe, siç tha, uljen e projektit Bllacë–Shkup nga autostradë në rrugë ekspres.
Pollozhani kritikoi qëndrimin e VLEN-it në qeveri, duke e cilësuar si pasiv dhe pa ndikim real në vendimmarrje.
“Ata janë në qeveri, por nuk vendosin. Janë në pushtet, por nuk flasin. Marrin poste, por nuk mbajnë përgjegjësi,” deklaroi ai.
Në fund, ai theksoi se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se çdo projekt i ndalur apo i reduktuar, sipas tij, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë aktuale dhe partnerëve të saj.
BDI kërkon ndërprerjen e, siç u shpreh, arsyetimeve dhe propagandës, si dhe marrjen e përgjegjësisë për vendimet që ndikojnë në zhvillimin e vendit. Gazeta Flaka
















