BDI: Pagesa 1,000 euro për aktivist jashtë Çairit, edukatoret pa paga – kërkohet dorëheqja e Mexhitit
BDI ka reaguar ndaj, siç thonë ata, keqpërdorimeve të buxhetit në Komunën e Çairit, duke publikuar të dhëna nga platforma “Open Finance” për pagesa mujore prej rreth 1,000 euro për një person të identifikuar si Haqim Ramadani, ish-drejtor dhe kandidat për kryetar komune nga një njësi tjetër lokale.
Nga BDI theksojnë se bëhet fjalë për një person që, sipas tyre, “as nuk jeton në Çair, as nuk është taksapagues i kësaj komune dhe nuk ka lidhje me nevojat reale të qytetarëve”.
Në reagim thuhet se, ndërkohë, edukatoret dhe mësimdhënëset në çerdhet e Çairit kanë mbetur për gjashtë muaj pa pagesë prej rreth 100 eurosh dhe, sipas tyre, po largohen nga vendet e punës.
“Ky është realiteti që e ka krijuar Izet Mexhiti. Para për partiakët ka, për edukatoret që kujdesen për fëmijët e Çairit nuk ka”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia e quan këtë situatë “keqpërdorim moral, politik dhe institucional të komunës”, duke kërkuar përgjegjësi politike.
Në fund të reagimit, BDI kërkon dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Nuk do të ndalemi deri në momentin që ai të largohet dhe Çairit t’i kthehet dinjiteti institucional”, theksohet në deklaratë.
















