I shkaktoi shtetit dëm prej 6 milionë eurosh – BDI kërkon hetim ndaj drejtorit të MEPSO-s, Burim Latifi
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar nisjen e një hetimi të menjëhershëm ndaj drejtorit të përgjithshëm të MEPSO-s, Burim Latifi, pas një vendimi ndërkombëtar që, sipas tyre, obligon shtetin të paguajë rreth 6 milionë euro dëmshpërblim.
Sipas BDI-së, dëmi financiar lidhet me vendimet e Latifit për anulimin e kontratës me kompaninë Energoinvest nga Sarajeva dhe zëvendësimin e saj me ELNOS BL DOOEL nga Banja Luka. Partia opozitare pretendon se kjo kompani “është e lidhur me rrjete interesi” që përfshijnë edhe Milorad Dodik.
BDI thekson se tribunali ndërkombëtar DAB, që vepron sipas rregullave FIDIC, ka hedhur poshtë kundërkërkesat e MEPSO-s në vlerë prej 19.3 milionë eurosh dhe i ka njohur Energoinvest të drejtën për kompensim prej rreth 6 milionë eurosh.
Në reagimin e saj, BDI vlerëson se bëhet fjalë për vendime që “kanë dëmtuar drejtpërdrejt interesin publik” dhe kërkon nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut të nisë procedurë penale ndaj Latifit për, siç thuhet, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit shtetëror.
Po ashtu, partia kërkon auditim të plotë të të gjitha kontratave të nënshkruara gjatë mandatit të tij dhe pezullimin e marrëveshjes me ELNOS BL DOOEL deri në sqarimin e plotë të rastit.
“Gjashtë milionë euro nga buxheti i shtetit janë çmimi i emërimeve politike dhe i lidhjeve me Dodikun”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Në fund, nga kjo parti theksohet se “Burim Latifi duhet të japë llogari”.

















