Ollomani ndan 18 vendime pune: Forcohen kapacitetet në shëndetësinë e Gostivarit
Shtëpia e Shëndetit në Gostivar është përforcuar me 18 profesionistë të rinj shëndetësorë, të cilëve sot u janë ndarë vendimet e punës.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i institucionit, Vullnet Ollomani, i cili theksoi se ky hap paraqet një avancim të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve të institucionit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Me kënaqësi të madhe sot ndava 18 vendime pune në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar”, deklaroi Ollomani.
Ai theksoi se institucioni po pasurohet me kuadro të reja profesionale, të cilët do të japin kontributin e tyre në vendin e tyre.
“Shtëpia e Shëndetit po fuqizohet me profesionistë të rinj, të cilët vlerësohen këtu, në vendin e tyre”, u shpreh drejtori.
Ollomani uroi punonjësit e rinj për angazhimin e tyre të ri profesional, duke theksuar rëndësinë e rolit që do të kenë në sistemin shëndetësor lokal.
“Të gjithë të punësuarve të rinj u uroj mirëseardhje dhe shumë suksese në punën e tyre fisnike dhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët”, tha ai.
Sipas tij, drejtimi i institucionit do të vazhdojë me angazhimin për fuqizimin e mëtejmë të kapaciteteve njerëzore dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor.
“Do të vazhdojmë me përkushtim të forcojmë institucionet shëndetësore, duke hapur dyert për profesionistët tanë. Ndërtojmë bashkërisht një shëndetësi më funksionale dhe më dinjitoze”, përfundoi Ollomani.
Punësimi i këtyre 18 profesionistëve vlerësohet si një hap konkret drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Gostivar dhe rritjes së kapaciteteve të Shtëpisë së Shëndetit për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Gazeta Flaka
















