Bujar Osmani në Bruksel: “Rruga drejt BE-së nuk guxon të mbetet peng i ngecjeve politike”
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar një vizitë dyditore në Bruksel, ku ka zhvilluar dy takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane, transmeton Gazeta Flaka.
Osmani është takuar me Emanuel Zhiofre, Drejtor për Evropë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), si dhe me Valentina Superti, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi (DG ENEST) në Komisionin Evropian.
Fokus në situatën politike dhe integrimin evropian
Sipas Osmanit, diskutimet janë përqendruar në zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut dhe në perspektivën e saj evropiane.
Ai ka theksuar shqetësim serioz për, siç e ka quajtur, “anulimin e Marrëveshjes së Ohrit si shtylla kryesore e bashkëjetesës dhe kohezionit ndëretnik dhe shtetëror”.
Në deklaratën e tij, Osmani ka nënvizuar:
“Rruga drejt Bashkimit Evropian nuk guxon të mbetet peng i ngecjeve politike. Ajo kërkon përgjegjësi, vendime të qarta dhe një partneritet të fortë me institucionet evropiane.”
Thirrje për dalje nga bllokada
Ai ka shtuar gjithashtu nevojën urgjente për tejkalimin e bllokadës në procesin e integrimit evropian, duke kërkuar rikthimin e besimit në perspektivën evropiane të vendit.
Vizita e Osmanit në Bruksel vjen në një periudhë të ndjeshme politike për Maqedoninë e Veriut, ku debati për reformat dhe procesin e integrimit evropian mbetet një nga temat kryesore në skenën politike vendore. Gazeta Flaka
















