BDI- Gostivar: Shaqiri në Forinë, Abdija në Korab – formohen edhe organet drejtuese
Në kuadër të riorganizimit të strukturave lokale, Bashkimi Demokratik për Integrim në Gostivar ka zgjedhur drejtuesit e rinj të nëndegëve në Lagjen Korabi dhe në fshatin Forinë.
Në Lagjen Korabi, për kryetar të nëndegës u zgjodh Jusuf Abdija, pas një procesi zgjedhor ku morën pjesë disa kandidatë.
“Për zgjedhjen e kryetarit, në kuvendin e nëndegës në Lagjen Korabi pati disa kandidatë të propozuar. Më i votuari prej tyre ishte Jusuf Abdija, i cili mori besimin për udhëheqjen e nëndegës”, thuhet në njoftim.
Nga struktura lokale bëhet e ditur se kandidatët e tjerë do të jenë pjesë e drejtimit. “Të gjithë kandidatët e tjerë, sipas renditjes së votave, morën përgjegjësi në kryesinë e nëndegës, si nënkryetarë dhe sekretar”, theksohet më tej.
Abdija është Magjistër i Shkencave Juridike dhe i angazhuar profesionalisht në Gjykata Themelore Gostivar, ku punon si bashkëpunëtor profesional. Ai njihet për përvojën në sistemin gjyqësor dhe angazhimin e hershëm në jetën politike dhe shoqërore.
Ndërkohë, në fshatin Forinë, për kryetar të nëndegës u zgjodh Azbi Shaqiri.
“Azbi Shaqiri është magjistër i diplomuar në Psikologji Klinike, me një angazhim të vazhdueshëm profesional dhe shoqëror në fushën e mbrojtjes sociale dhe mirëqenies së komunitetit”, thuhet në njoftim.
Ai aktualisht ushtron funksionin e udhëheqësit të sektorit për mbrojtje sociale në Qendra për Punë dhe Politikë Sociale, duke kontribuar në zhvillimin dhe zbatimin e politikave sociale.
Shaqiri është aktiv edhe në organizime të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. “Ai është pjesë e Shoqatës së Familjeve të Fëmijëve me Nevoja të Veçanta dhe anëtar i Këshillit për Parandalimin e Dhunës, si dhe ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë aktivitetet e GLOBSEC”, theksohet më tej.
Në kuvendin e Forinës janë zgjedhur edhe strukturat e tjera drejtuese. “Në këtë kuvend u zgjodhën edhe organet tjera në bazë të statutit të BDI-së, përfshirë Komitetin e Veteranëve, Këshillin Mbikëqyrës, përfaqësues të Forumit Rinor dhe Forumit të Gruas, si dhe përfaqësues të diasporës”, thuhet në fund të njoftimit. Gazeta Flaka
















