Paralajmërimi i Mickoskit trazon politikën: BDI dhe ASH pro zgjedhjeve, VLEN kundër
Paralajmërimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ka ndezur menjëherë skenën politike në vend, duke nxitur reagime të forta nga partitë shqiptare dhe duke hapur debat të ri mbi stabilitetin e shumicës qeveritare, shkruan Gazeta Flaka.
Deklarata e Mickoskit erdhi si përgjigje ndaj kreut të LSDM-së, Venko Filipçe, i cili kishte akuzuar kryeministrin për krijimin e “armiqve artificialë” në raport me Bullgarinë. Mickoski u shpreh i bindur se zgjedhjet mund të mbahen shumë shpejt dhe paralajmëroi ndryshime të thella në kampin opozitar, duke deklaruar se pas tyre LSDM do të margjinalizohet politikisht.
Ai akuzoi opozitën maqedonase për, siç tha, nënshtrim ndaj interesave të huaja, duke kërkuar unitet politik rreth interesave shtetërore dhe çështjeve strategjike të vendit.
Reagimi më i shpejtë erdhi nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili deklaroi se është i gatshëm për zgjedhje në çdo moment, duke rikujtuar se kërkesën për zgjedhje të parakohshme e ka artikuluar që në fillim të mandatit të kësaj qeverie. Paralelisht, strukturat e BDI-së kanë intensifikuar fushatën në rrjetet sociale me sloganin “Ai po vjen”, duke sinjalizuar mobilizim politik.
Sinjale politike erdhën edhe nga ministri Fatmir Limani, i konsideruar si një nga zërat më kritikë brenda koalicionit VLEN, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ndau mesazhin se zgjedhjet parlamentare mund të mbahen së shpejti.
Në kampin shqiptar, Aleanca për Shqiptarët është rreshtuar qartë në mbështetje të zgjedhjeve të parakohshme, duke i cilësuar ato si rruga e vetme për të nxjerrë vendin nga ngërçi politik, diplomatik dhe ekonomik.
Partia e Arben Taravarit ka akuzuar koalicionin VLEN për dështim në përfaqësimin politik të shqiptarëve, duke përmendur çështje si heqja e balancuesit, mungesa e progresit në ndryshimet kushtetuese, dobësimi i përdorimit institucional të gjuhës shqipe dhe ngecjet në procesin eurointegrues.
Sipas Aleancës, zgjedhjet janë domosdoshmëri për të rikthyer legjitimitetin politik dhe për të krijuar një konfigurim të ri institucional.
Në anën tjetër, VLEN ka refuzuar kategorikisht idenë për zgjedhje të parakohshme. Në reagimin e saj, kjo forcë politike ka theksuar se shumica parlamentare mbetet stabile dhe se fokusi duhet të jetë qeverisja dhe përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve.
VLEN pretendon se është konsoliduar si forca e dytë politike në vend dhe se procesi i bashkimit në një subjekt unik politik është në fazën përfundimtare. Mesazhi i tyre është i qartë: nuk ka krizë politike që justifikon zgjedhje të reja.
Ndërkohë, opozita maqedonase, LSDM, deri tani nuk ka dalë me qëndrim zyrtar pas paralajmërimeve të Mickoskit, duke lënë hapësirë për interpretime mbi strategjinë e saj politike.
Zhvillimet e fundit tregojnë se tema e zgjedhjeve të parakohshme po shndërrohet në boshtin kryesor të debatit politik në Maqedoninë e Veriut, me partitë që tashmë po pozicionohen qartë përballë një skenari që mund të ndryshojë ndjeshëm hartën politike të vendit. Gazeta Flaka
















