Ahmeti nderon Luan Haradinajn në Deçan: Lavdi e përjetshme dëshmorëve
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në homazhet për nder të përvjetorit të rënies së heroit të kombit, Luan Haradinaj, në Deçan dhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Zonës Operative të Dukagjinit në Gllogjan.
Ahmeti tha se Luan Haradinaj dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbeten simbol i sakrificës për liri.
“Me rastin e përvjetorit të rënies së heroit të kombit Luan Haradinaj, sot, së bashku me bashkëluftëtarë dhe përfaqësues institucionalë, në Deçan dhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Zonës Operative të Dukagjinit në Gllogjan, bëmë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tij dhe të të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, deklaroi Ahmeti.
Ai theksoi se figura e Luan Haradinajt mbetet udhërrëfyese për brezat.
“Luan Haradinaj, së bashku me vëllezërit e tij dhe mijëra luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbetet simbol i qëndresës, guximit dhe sakrificës për atdheun”, u shpreh Ahmeti.
Në të njëjtën kohë, ai bëri të ditur se janë nderuar edhe figura të tjera të luftës çlirimtare.
“Gjithashtu, nderuam edhe veprimtarin e orëve të para të lirisë, heroin Smajl Haradinaj, veprimtaria e të cilit ishte edhe udhërrëfyes për të gjithë ushtarët e UÇK-së”, tha Ahmeti.
Në fund, Ahmeti theksoi se kujtimi për dëshmorët mbetet obligim i përhershëm.
“Nderimi për dëshmorët është dhe do të mbetet detyrim i përhershëm moral dhe kombëtar. Lavdi e përjetshme!”, përfundoi ai.
Gazeta Flaka
















