Mickoski nisi fushatë të zezë kundër nesh, akuzojnë nga LSDM
Nga LSDM sot akuzojnë VMRO-DPMNE-në se në vend që të përgjigjen nevojave reale të qytetarëve lidhur me krizën ekonomike, ato po merren me fushatë të zezë për shkatërrimin e LSDM-së.
“Ndërsa qytetarët kërkojnë përgjigje konkrete për çështjet kryesore, ligjin për shtetësinë e dyfishtë, përmbushjen e axhendës së reformave deri në qershor, ekstradimin e Gruevskit, përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, heqjen e qeverisë teknike pa konsensus dhe mbështetje ndërkombëtare, huamarrjen e re, kolapsin ekonomik, inflacionin në rritje, çmimet e karburantit dhe ushqimeve bazë, rënien e standardit të jetesës, varfërinë e përhapur dhe refuzimin për të rritur pagën minimale, Mickoski po zgjedh përsëri një taktikë të vjetër: një përpjekje për të dobësuar nga brenda LSDM-në.
Në vend që t’u përgjigjet problemeve reale të qytetarëve, përmes fushatave të zeza, kërcënimeve me prokurorinë dhe policinë, përmes platformës së tij dhe medias së tij Orban, ai po riaktivizon renegatë, si Shilegov, Despotovski dhe “reformatorë” të ngjashëm që në fakt po punojnë për të shpërbërë LSDM-në.
Histori të vjetra, lojtarë të vjetër, renegatë dhe të njëjtat metoda, individë të paguar dhe të shantazhuar që supozohet të sjellin trazira në radhët e partisë që po rritet çdo ditë dhe po rifiton besimin midis qytetarëve po rishfaqen.
Në të njëjtën kohë, VMRO-DPMNE është në rënie të lirë.
Ata humbën mbi 150.000 vota për shkak të premtimeve të pambajtura zgjedhore, pamundësisë për të udhëhequr vendin, kolapsit ekonomik dhe korrupsionit.
Tani ata janë në panik për shkak të fillimit të hetimeve në Hungari për keqpërdorimin e kredisë kineze, pastrimin e parave dhe median e tyre në pronësi të Orbanit”, thonë nga LSDM. Gazeta Flaka
















