BDI: Burim Latifi e pranoi dëmin prej 6 milionë eurosh
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj drejtorit të MEPSO-s, Burim Latifi, duke e akuzuar atë për shkaktim dëmi të madh financiar ndaj buxhetit të shtetit.
Sipas BDI-së, deklaratat dhe veprimet e tij përbëjnë “pranim të qartë” se me vendimet e marra është shkaktuar dëm prej mbi 6 milionë eurosh.
“Edhe pse dje organizoi brifing me gazetarë, Burim Latifi shmangu mediat që prej kohësh kanë kërkuar përgjegjësi për kontratat e dyshimta dhe pasojat financiare,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia thekson se fakti që ai është konsultuar me zyra ligjore për inicimin e procedurave në arbitrazh tregon, sipas tyre, se “e pranon humbjen e kontestit dhe dëmin e shkaktuar”.
“Vendimi ekziston, MEPSO e ka humbur rastin paraarbitral. Tani po tentohet vetëm të blihet kohë përmes ankesave dhe procedurave të reja,” deklaron BDI.
Më tej, partia opozitare akuzon se kontratat e lidhura kanë përfshirë kompani nga Banja Luka, duke i lidhur ato me qarqe të afërta me Millorad Dodikun.
“Burim Latifi e ka prishur kontratën me ‘Energoinvest’, për të lidhur marrëveshje me kompani të afërta me Millorad Dodikun. Deri më tani janë lidhur dy kontrata me kompani nga Banja Luka,” thuhet në reagim.
BDI vlerëson se pasojat financiare tashmë po i paguajnë qytetarët dhe se dëmi i shkaktuar kap vlerën mbi 6 milionë euro.
“Pasojat e këtyre vendimeve po i paguajnë qytetarët. Buxheti i shtetit është dëmtuar për mbi 6 milionë euro,” thekson partia.
Në fund, BDI i bën thirrje Prokurorisë që të ndërhyjë menjëherë.
“Ftojmë Prokurorinë që urgjentisht të hetojë këtë rast dhe të përcaktojë përgjegjësinë individuale. Shteti ligjor duhet të veprojë,” përfundon reagimi. Gazeta Flaka
















