Heqja e mbishkrimeve shqipe, BDI akuzon Stoilkoviqin dhe VLEN-in për heshtje
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të ministrit Ivan Stoilkoviq, duke e akuzuar atë për heqjen e mbishkrimeve dhe shenjave në gjuhën shqipe në Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve.
Në reagimin e saj, BDI e cilëson këtë veprim si “sulm të hapur institucional ndaj gjuhës shqipe”.
“BDI dënon ashpër veprimet skandaloze të ministrit Ivan Stoilkoviq, i cili ka urdhëruar heqjen e mbishkrimeve dhe shenjave identifikuese në gjuhën shqipe,” thuhet në deklaratë.
Partia kritikon edhe heshtjen e koalicionit VLEN, duke e cilësuar atë si bashkëpërgjegjësi politike.
“Ndërsa Stoilkoviq vepron çdo ditë kundër pranisë së gjuhës shqipe, VLEN vazhdon të heshtë. Kjo nuk është më paaftësi politike, por bashkëpërgjegjësi,” thekson BDI.
Sipas tyre, veprimet e fundit janë pjesë e një plani më të gjerë institucional për dobësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në administratë.
“Po shihen aktet konkrete të fshirjes së identitetit institucional shqiptar, duke hequr tabelat dhe mbishkrimet nën arsyetimin e ‘renovimit’,” thuhet në reagim.
BDI akuzon gjithashtu se ka një projekt të koordinuar për largimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve nga objekti ku funksionon.
Më tej, partia ngre pyetje publike për përfaqësuesit e VLEN-it:
“Deri kur do të heshtni ndërsa hiqen mbishkrimet shqipe nga institucionet shtetërore?”
Në fund, BDI thekson se gjuha shqipe është e garantuar me Kushtetutë dhe nuk mund të trajtohet si çështje administrative apo simbolike.
“Gjuha shqipe nuk është dekor që hiqet sipas urdhrave politikë. Ajo është kategori kushtetuese dhe e drejtë e fituar,” përfundon reagimi. Gazeta Flaka
















