Kongresi i VLEN, Kurti në krah të Mickoskit, për herë të parë ‘harrohet’ himni shqiptar
Është mbajtur sot në Shkup Kongresi i Bashkimit i koalicionit politik shqiptar VLEN, aktualisht në pushtet, që sot u shkri në një parti të vetme politike.Në këtë Kongres kanë marrë pjesë disa figura politike nga Shqipëria dhe Kosova, mes tyre dhe kryeministri Albin Kurti.
Pamjet e transmetuara gjatë Kongresit kanë ngjallur reagime të forta në RMV por edhe në Kosovë, duke nënvizuar faktin se Kurti shfaqet krah Hristijan Mickoski, kryeministrit të RMV.
Ata e konsiderojnë këtë një reshtim krah Mickoskit për të disatën herë dhe se po bekon shkrirjen e VLEN, ndërsa nga ana tjetër studentët shqiptarë të RMV vijojnë të protestojnë për të pasur mundësinë e testimit në gjuhën shqipe në provimin e jurisprudencës, që ua lejon Kushtetuta.
Po ashtu reagimet ndalen edhe te Marrëveshja e Ohrit, që sipas tyre thuhet se “po shkelet me të dy këmbët nga një parti në pushtet albanofobe si VMRO”.
Në kongres është “harruar” himni shqiptar për herë të parë, pavarësisht Kurtit, 5 liderëve të VLEN dhe 850 delegatë shqiptarë nga gjithë trevat shqiptare RMV, duke vendosur vetëm himnin e Bashkimit Europian.
Blendi Hodai, një figurë publike në RMV shkruan: Albin Kurti në raport me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duket gjithnjë e më shumë në një lloj simbioze politike me Hristijan Mickoskin. Të dyve, për arsye të ndryshme, u konvenon që shqiptari në institucione të jetë i dobët, pa bosht, pa guxim dhe pa qëndrime. Sepse shqiptari që nuk pengon, që nuk pyet dhe që vetëm tund kokën, është “shqiptari i mirë”.
Besnik Osmani, Kryetar i këshillit të komunës së Tearcës në RMV, shkruan: As me praninë e Albin Kurti nuk mundët këtë “Bashkim të shoqatave të gjuetarëve” ta filloni me intonimin e Himnit kombëtar Shqiptar, sepse shefi juaj Hristijan Mickoski lëre që nuk jua lejon, po as që e ndjeni në qënjen tuaj. Himnin e përdorni në fushatë për tu treguar patriotë të mëdhenj para shqiptarëve Izet Mexhiti Bilall Kasami Bekim Sali Bekim Qoku Mimoza A Musa Bekim Fazliu.
Irfan Buçi, nga radhët e BDI, e cilëson këtë si “Ndikimi botes serbe dhe Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut”.

Sakaq, Njëri nga drejtuesit e VLEN-it Izet Mexhiti në kongresin e parë partiak, theksoi se VLEN nuk është krijuar për një cikël zgjedhor, por siç shtoi kjo parti politike është një epokë e re. Mes tjerash, Mexhiti theksoi se VLEN-i nuk i ndau shqiptarët, por siç u shpreh i bashkoi shqiptarët.
“VLEN-i është forca kryesore në hartën politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. VLEN-i nuk i ndau shqiptarët, por i bashkoi. Nuk e shpërndau fuqinë politike, por e përçëndroi atë, nuk e dobësoi zërin shqiptarë, por e faktorizoi atë”, tha Mexhiti.

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në fjalimin e tij gjatë Kongresit të parë të partisë, tha se VLEN-i nuk është vetëm bashkim partish, por një tjetër kulturë e politikbërjes.
Kasami theksoi se shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat. Ai në fjalimin e tij tregoi se çfarë përfaqëson VLEN-i dhe cilat do të jenë prioritetet e saj.
“VLEN nuk duhet të jetë thjesht bashkim partish. Nëse mbetet vetëm kaq, atëherë nuk kemi bërë asgjë. VLEN duhet të bëhet kulturë tjetër politike shqiptare. Më e qetë, serioze, më institucionale dhe e përgjegjshme ndaj qytetarit. Ne nuk kemi nevojë për politikë që jeton nga zënkat. Shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat. Prandaj është e rëndësishme të themi edhe se çfarë përfaqësojmë. Ne jemi parti e qendrës së djathtë. Dhe këtë nuk e themi si diçka që tingëllon mirë në letër. E themi sepse besojmë në disa vlera shumë të qarta”.
“Ne besojmë në familjen si vendin e parë ku njeriu mëson besimin, përgjegjësinë dhe dashurinë për tjetrin. Besojmë te puna e ndershme, te njeriu që ngrihet herët për ta mbajtur familjen e vet, te sipërmarrësi që rrezikon, krijon dhe nuk pret gjithçka nga shteti. Besojmë në identitetin tonë, në gjuhën, në kulturën, në besimin dhe në ato vlera shpirtërore që na kanë mbajtur bashkë edhe në kohët kur kemi pasur pak mundësi, por shumë dinjitet.
Por po ashtu besojmë edhe në një shtet modern. Në institucione që funksionojnë. Në administratë profesionale. Në drejtësi që është e barabartë për të gjithë, jo nënë për dikë e njerkë për dikë tjetër”, tha Kasami.

Mimoza Musa, deputete nga radhët e VLEN-it, gjatë fjalimit të saj në kongres deklaroi se organizimi i këtij eventi vjen në një moment kur shqiptarët kanë nevojë të shohin se politika mund të shërbejë si faktor bashkimi.
Ajo theksoi se kongresi nuk po mbahet vetëm për të formalizuar bashkimin politik të subjekteve pjesëmarrëse, por edhe për të dëshmuar se bashkëpunimi dhe uniteti janë të mundshëm në skenën politike shqiptare.
“Ky kongres nuk po mbahet vetëm për të formalizuar bashkimin tonë të madh politik. Po mbahet në kohën kur shqiptarët kanë nevojë të shohin politika din edhe të bashkojë. VLEN është një përgjigje ndaj një nevoje që ka ekzistuar prej kohësh. VLEN është një brend shqiptarë, një ide që njihet për ndryshim. Pesë subjekte sot thotë thonë PO shkrirjes në një parti”, deklaroi Musa.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në kongresin e parë partiak të VLEN-it theksoi se është e rrallë bashkimi i disa subjekteve politike në një. Kurti mes tjerash potencoi se VLEN-i gjeti vullnetin, vizionin dhe pjekurin për t’u bashkuar në një trup të vetëm.
“Jemi mësuar që në politikë shumë shpesh të shohim ndarje e përçarje e coptime të subjekteve politike, prandaj është shumë më e rrallë dhe shumë domethënëse kur disa subjekte të ndryshme arrijnë të gjejnë vullnetin, vizionin dhe pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik”, dekalroi Albin Kurti.

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, gjatë fjalimit të tij në kongresin e VLEN, tha se mesazhi i qytetarëve për bashkim është dëgjuar dhe marrë seriozisht nga ky koalicion.
Ai theksoi se synimi i VLEN-it është të jetë i pranishëm në çdo vend, si në qytete ashtu edhe në fshatra, aty ku qytetarët presin ndryshim dhe përmirësim nga politika.
“Ne duam që VLEN-i të jetë i pranishëm kudo, në qytet e fshat, kudo që njerëzit presin më mirë nga politika. Ne kemi nevojë për më pak zhurmë e më tepër punë. Nuk guxojmë të humbim rininë, detyra jonë është t’i mbajmë këtu dhe t’u ofrojmë më të mirën”, u shpreh Sali.
Gazeta Flaka
















