VLEN sërish nuk u unifikua, Lëvizja Arbëria mbetet jashtë strukturës së përbashkët
Edhe pse Kongresi i parë i VLEN-it u promovua si moment historik bashkimi i faktorit opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, zhvillimet pas kongresit tregojnë se procesi i unifikimit ende nuk ka përfunduar plotësisht.
Një nga sinjalet më të qarta në këtë drejtim vjen nga Lëvizja Arbëria, e cila megjithëse vazhdon bashkëpunimin politik me VLEN-in, nuk është bërë pjesë organike e subjektit të ri të përbashkët.
Pas kongresit të VLEN-it, Këshilli Drejtues i Lëvizjes Arbëria zhvilloi mbledhje në Shkup, ku u diskutua për zhvillimet politike, organizimin e brendshëm dhe hapat e ardhshëm të subjektit.
Në komunikatën e saj, Lëvizja Arbëria rikonfirmoi vazhdimin e bashkëpunimit politik me VLEN-in, duke theksuar gatishmërinë për koordinim dhe veprim të përbashkët në funksion të përfaqësimit të shqiptarëve dhe adresimit të sfidave politike në vend.
Megjithatë, vetë fakti që Lëvizja Arbëria vazhdon të funksionojë si subjekt i veçantë politik dhe jo si pjesë e shkrirë në strukturën e re të VLEN-it, po interpretohet në opinion si dëshmi se unifikimi i plotë ende nuk është arritur.
Ky perceptim u forcua edhe më shumë gjatë Kongresit të VLEN-it, ku kryetari i Lëvizjes Arbëria, Arben Fazliu, mbajti fjalim si përfaqësues i një subjekti të veçantë politik, duke uruar suksesin e VLEN-it nga pozicioni i një partneri bashkëpunues dhe jo si pjesë e strukturës së re të bashkuar.
Në fjalimin e tij, Fazliu e cilësoi Kongresin si moment historik për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Sot po ndodh historia, po ndodh një kthesë e madhe dhe e bukur. Pesë subjekte politike po bashkohen në një forcë të vetme, në subjektin më të madh dhe më të fuqishëm të shqiptarëve në RMV”, deklaroi ai.
Megjithatë, deklarata e tij nxori në pah edhe një detaj domethënës politik: ai foli për “pesë subjekte” që po bashkohen, ndërkohë që vetë Lëvizja Arbëria mbeti jashtë këtij formalizimi politik.
Kjo ka hapur diskutime në opinion nëse VLEN-i realisht ka arritur bashkimin e plotë të spektrit opozitar shqiptar apo ende funksionon si koalicion me partnerë periferikë që nuk janë integruar plotësisht në strukturën e re.
Kujtojmë se Lëvizja Arbëria kishte qenë pjesë e përbashkët e garës politike së bashku me partitë tjera të VLEN-it në zgjedhjet lokale, çka kishte krijuar pritje se edhe ajo do të përfshihej në procesin e formalizimit të subjektit të ri politik.
Por zhvillimet e fundit tregojnë se, të paktën për momentin, Arbëria ka zgjedhur të ruajë identitetin dhe strukturën e saj politike, duke mbetur partnere bashkëpunuese dhe jo pjesë e shkrirë e VLEN-it.
Në këtë mënyrë, pas Kongresit që synonte të simbolizonte unitetin, kanë nisur të shfaqen edhe nuancat e para të dallimeve, rezervave dhe pozicionimeve të veçanta brenda kampit opozitar shqiptar.
Faruk Jashari nga Lëvizja Arbëria emërohet zv/drejtor i Entit Shtetëror të Statistikës
Faruk Jashari nga Lëvizja Arbëria është emruar zv/drejtor i Entit Shtetëror të Statistikës.Jashari është nga nga qyteti i Kumanovës. Gazeta Flaka
















