Skandal në Shkup, ujku mbahej si kafshë shtëpiake në një lagje të qytetit
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski ka reaguar pasi mbrëmë në një lagje të Shkupit është kapur një ujk, i cili sipas tij mbahej në mënyrë të paligjshme si kafshë shtëpiake, i lidhur me rrip dhe zinxhir.
“Për rastin menjëherë janë njoftuar të gjitha institucionet kompetente”, ka deklaruar Gjorgjievski.
Ai ka dënuar ashpër mënyrën e trajtimit të kafshëve të egra, duke theksuar se raste të tilla paraqesin rrezik serioz për qytetarët.
“Nuk mund ta besoj se ekzistojnë individë kaq të papërgjegjshëm që trajtojnë kafshët e egra në këtë mënyrë, duke rrezikuar njëkohësisht sigurinë e qytetarëve përreth. Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi, por një rrezik serioz për të gjithë ambientin”, është shprehur ai.
Sipas tij, ujku aktualisht po trajtohet nga shërbimet e Kopshti Zoologjik i Shkupit, ndërsa pret që institucionet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.
“Në Shkup duhet të ketë rend!”, ka theksuar Gjorgjievski.
Ai ka bërë thirrje për ndërtimin e një shoqërie më humane dhe më të përgjegjshme ndaj kafshëve.
“Duhet të ndërtojmë një shoqëri më humane, më të sigurt dhe më të përgjegjshme, ku ligjet vlejnë për të gjithë, ndërsa kafshët trajtohen me kujdes e jo si objekt për keqtrajtim apo argëtim të sëmurë”, ka përfunduar ai. Gazeta Flaka
















