Mbështetje e fuqishme nga Shqipëria dhe Kosova për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet një debat i gjerë publik pas protestës së studentëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që provimi i Jurisprudencës të mund të jepet në gjuhën shqipe. Kërkesa e tyre ka marrë mbështetje edhe nga figura politike në Shqipëri dhe Kosovë.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar në mbështetje të lëvizjes studentore, duke e cilësuar atë si një kërkesë themelore për të drejtat gjuhësore.
“Në Maqedoninë e Veriut ka nisur një lëvizje studentore, e djemve dhe vajzave të shqiptarisë! Studentët shqiptarë kërkojnë të drejtën më të vjetër në botë, atë të gjuhës amëtare!” – ka deklaruar Majko.
Ai ka kritikuar edhe qasjen institucionale ndaj përdorimit të gjuhës shqipe në proceset akademike dhe juridike, duke theksuar:
“Të studiosh shqip dhe të japësh provimin në maqedonisht, fyen inteligjencën më naive!”
Majko ka përmendur gjithashtu deklarimet politike lidhur me konsultimet me institucione ndërkombëtare për çështjen e gjuhës:
“Kryeministri Mickovski ka deklaruar se do të ‘pyetet’ Komisioni i Venecias për përdorimin e gjuhës shqipe!… Shteti që ndërroi emrin dhe flamurin, ka vendosur të pyesë se çfarë të bëj me fëmijët e shqiptarëve!”
Në të njëjtën linjë mbështetëse, nga Kosova ka reaguar edhe Daut Haradinaj, i cili ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar të studentëve.
“Të hënën, më 18 maj, në ora 16:30, të bashkohemi të gjithë në mbështetje të studentëve shqiptarë që kërkojnë vetëm atë që u takon me ligj dhe me Kushtetutë – të drejtën për ta dhënë provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.”
Ai ka theksuar se çështja tejkalon karakterin studentor dhe lidhet me parimet themelore të barazisë:
“Kjo nuk është vetëm çështje studentësh. Kjo është çështje dinjiteti, barazie dhe respektimi të të drejtave themelore. Nuk mund të ketë drejtësi pa gjuhën shqipe. Nuk mund të ketë shtet të barabartë kur shqiptarëve u mohohet e drejta për t’u testuar në gjuhën e tyre amtare.”
Protesta e paralajmëruar pritet të mbahet të hënën në orën 16:30, ku organizatorët dhe përkrahësit kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në mbështetje të studentëve shqiptarë. Gazeta Flaka
















