Bujar Osmani: Protesta e studentëve është alarm për themelet e shtetit
Bujar Osmani ka reaguar lidhur me protestat studentore dhe debatet për gjuhën shqipe, duke theksuar se Marrëveshja e Ohrit është “marrëveshje paqeje” dhe themel i bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut.
Osmani deklaroi se sulmet ndaj parimeve të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë vetëm sulme politike apo etnike, por “sulm ndaj vetë arkitekturës së bashkëjetesës”.
“Jo çdo shtet ndërtohet vetëm me ligje. Disa shtete ndërtohen me dhimbje. Me kompromis. Me vendimin e popujve që të mos e jetojnë më frikën e konfliktit”, shkroi Osmani.
Ai vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit krijoi një model funksional bashkëjetese në Ballkan, ku dallimet “nuk u shtypën, por u organizuan në sistem”.
“Ballkani prodhoi dy modele pas konflikteve: Dejtonin dhe Ohrin. Njëri ngrinë ndarjet. Tjetri ndërtoi bashkëjetesë funksionale”, theksoi ai.
Sipas Osmanit, protesta e studentëve nuk lidhet vetëm me çështjen e gjuhës apo Kushtetutës, por përfaqëson një alarm për cenimin e themeleve që mbajnë shtetin bashkë.
“Kur rrënohen shtyllat e besimit mes popujve, çmimin nuk e paguajnë politikanët. E paguajnë gjeneratat”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Osmani i bëri thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, duke e cilësuar atë si “investimin më të suksesshëm në Ballkan”.
“Të mbrosh Ohrin sot nuk është akt politik. Është akt përgjegjësie historike”, përfundoi Osmani. Gazeta Flaka
















