Ismet Sylejmani: “Kur preket gjuha shqipe, preket vetë dinjiteti i kombit”
Veprimtari shqiptar Ismet Sylejmani ka reaguar me një thirrje të fortë publike në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar mbrojtjen e gjuhës shqipe si detyrim kombëtar dhe historik për çdo shqiptar.
Në reagimin e tij, të publikuar nga Prishtina më 17 maj 2026, Sylejmani deklaron se protesta e 18 majit në Shkup është një moment që kërkon unitet dhe qëndresë kombëtare.
“Më 18 Maj 2026, Shkupi thërret për zërin e shqiptarëve që nuk pranojnë poshtërimin dhe nënçmimin e Gjuhës Shqipe, të gjuhës së Nënës, gjuhës së gjakut dhe të flamurit”, shkroi ai.
Sylejmani e përshkroi gjuhën shqipe si simbol të historisë, sakrificës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
“Gjuha Shqipe nuk është vetëm fjalë, është histori, është plagë, është krenari dhe është identitet kombëtar”, theksoi ai.
Në reagimin e tij, ai rikujtoi sakrificat historike të shqiptarëve për ruajtjen e gjuhës shqipe.
“Për Gjuhën Shqipe janë vrarë e janë burgosur patriotë e atdhetarë, janë përndjekur mësues, profesorë, nxënës e studentë, janë djegur shkolla dhe janë flijuar breza të tërë shqiptarësh që kjo gjuhë të mos zhdukej kurrë nga trojet tona”, deklaroi Sylejmani.
Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të marrin pjesë ose ta mbështesin publikisht protestën në mbrojtje të gjuhës shqipe.
“Çdo shqiptar e shqiptare që e ndien veten bir e bijë të popullit, Atdheut dhe Kombit tonë, duhet të jetë pjesëmarrës ose të dalë në përkrahje të protestës për Gjuhën Shqipe në Shkup”, u shpreh ai.
Sipas tij, 18 maji nuk është “ditë arsyetimesh”, por “ditë e qëndresës dhe e pjesëmarrjes”.
“Më 18 Maj 2026, nuk është dita e arsyetimeve. Është dita e qëndresës dhe e pjesëmarrjes fizike ose përkrahjes publike me emër e mbiemër të Protestës”, tha Sylejmani.
Në fund të reagimit, ai paralajmëroi një protestë masive dhe simbolike në Shkup.
“Shkupi më 18 Maj 2026, duhet dhe do të jehojë e gjëmojë si krater vullkani me zërin deri në qiell të shqiptarëve”, përfundoi Ismet Sylejmani. Gazeta Flaka
















