Tre muaj, tre qëndrime: Çfarë tha Mickoski për provimin në gjuhën shqipe?
Që nga muaji shkurt e deri në maj të vitit 2026, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka dhënë deklarata të ndryshme dhe shpesh kontradiktore lidhur me kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, shkruan Gazet Flaka
08 Shkurt 2026 – “Ligji i gjuhëve është i qartë”
Në deklarimin e parë publik për këtë çështje, Mickoski tha se kërkesa e studentëve shqiptarë është në përputhje me Ligjin për Gjuhët dhe se nuk ka asgjë kontestuese që provimi të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
“Ligji i gjuhëve është i qartë në këtë rast, nëse dikush kërkon të jap provimin në gjuhën shqipe, duhet t’i lejohet”, deklaroi kryeministri.
Por, në të njëjtën kohë, nga Ministria e Drejtësisë u mbajt qëndrim krejtësisht tjetër. Ministria argumentoi se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe, pasi sipas tyre ai shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht për ushtrimin e profesioneve juridike si gjykatës, prokuror, avokat, noter dhe përmbarues.
10 Shkurt 2026 – “Ligji aktual nuk e lejon”
Vetëm dy ditë më vonë, Mickoski ndryshoi tonin e deklarimeve. Ai tha se Kushtetuta lejon përdorimin e shqipes në institucione, por se provimi i jurisprudencës duhet fillimisht të rregullohet me ligj të veçantë.
“Kushtetuta është e qartë dhe precize… komunikimi në institucionet shtetërore mund të zhvillohet edhe në gjuhën e bashkësisë që është mbi 20%, por kjo duhet të rregullohet me ligj. Ligji kështu siç është, nuk lejon provim të tillë”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se është i gatshëm të propozojë ndryshime ligjore, jo vetëm për gjuhën shqipe, por edhe për gjuhët e bashkësive të tjera, ndërsa paralajmëroi se ligji do të dërgohej për vlerësim në Komisionin e Venecias.
Në të njëjtën deklaratë, Mickoski kujtoi edhe mendimin kritik që Komisioni i Venecias kishte dhënë më herët për pjesë të Ligjit për Gjuhët në sektorin e gjyqësorit.
13 Maj 2026 – “Të kenë durim”
Pas paralajmërimeve të studentëve shqiptarë për protesta më 18 maj, kryeministri u rikthye sërish mbi këtë temë, duke kërkuar durim dhe duke premtuar një zgjidhje të afërt.
“Jam i bindur që shumë shpejt do të dalim me propozim-zgjidhje. Ai propozim do të jetë sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe standardeve ndërkombëtare”, tha Mickoski.
Ai gjithashtu akuzoi “forca politike” se po tentojnë ta shfrytëzojnë çështjen për tensione dhe protesta, duke shtuar se partitë që kanë qenë mbi 20 vjet në pushtet nuk e kanë zgjidhur këtë problem.
Nga qëndrim i qartë, në paqartësi politike
Deklaratat e kryeministrit tregojnë një ndryshim të vazhdueshëm të narrativës: nga pohimi fillestar se Ligji për Gjuhët e lejon provimin në shqip, te pretendimi se ligji aktual nuk e mundëson dhe se nevojiten ndryshime ligjore.
Këto ndryshime të qëndrimeve kanë nxitur reagime dhe paqartësi në opinion, sidomos tek studentët shqiptarë, të cilët vazhdojnë të kërkojnë realizimin e së drejtës për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare. Gazeta Flaka
















