Nga “nuk do të kalojë” te “çështja është mbyllur” – qëndrimet e Filkovit për studentët shqiptarë
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, gjatë muajve shkurt 2026 mbajti një qëndrim të prerë kundër kërkesës së studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Përmes deklaratave publike, reagimeve politike dhe debateve parlamentare, Filkov insistoi se ligji dhe Kushtetuta nuk e lejojnë një gjë të tillë.
09 Shkurt 2026 – “Ka përfunduar koha e interpretimeve politike”
Pas deklaratave të zëvendëskryeministrit Bekim Sali në mbështetje të kërkesës së studentëve shqiptarë, Filkov reagoi ashpër duke akuzuar për interpretime politike të Kushtetutës dhe ligjeve.
“Koha kur Kushtetuta dhe ligjet interpretoheshin sipas nevojave politike ditore ka përfunduar”, deklaroi Filkov.
Ai theksoi se shteti funksionon mbi bazën e Kushtetutës dhe jo mbi “vlerësime personale”, ndërsa në mënyrë ironike iu drejtua Salit duke thënë se “e kupton si stomatolog”, por jo si interpretues të ligjit.
“Kushtetuta nuk është temë për emisione televizive… Çdo gjë tjetër është presion. Dhe kjo nuk do të kalojë”, deklaroi ministri.
10 Shkurt 2026 – Reagim i ashpër ndaj Mickoskit dhe Salit
Një ditë më vonë, pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Bekim Salit, Filkov publikoi një reagim edhe më të ashpër, duke këmbëngulur se studentëve shqiptarë nuk mund t’u jepet e drejta për ta dhënë provimin në shqip.
Sipas tij, interpretimet politike të Kushtetutës kishin marrë fund me largimin e pushtetit të kaluar.
“Kushtetuta duhet të respektohet dhe nuk mund të jetë objekt interpretimesh të lira ditore politike”, deklaroi Filkov.
Ai sqaroi se Ministria e Drejtësisë kishte analizuar kërkesën e studentëve dhe kishte ardhur në përfundim se Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk mund të zbatohet i shkëputur nga ligjet sistemore të gjyqësorit.
“Provimi i jurisprudencës është parakusht për hyrje në gjyqësor, prokurori, avokaturë, noteriat dhe përmbarim, ndërsa të gjitha këto ligje parashohin njohje aktive të gjuhës maqedonase”, theksoi ai.
Filkov insistoi se provimi në maqedonisht është i lidhur drejtpërdrejt me verifikimin e përgatitjes profesionale dhe gjuhësore, pasi procedurat zyrtare në sistemin e drejtësisë zhvillohen kryesisht në maqedonisht dhe me alfabet cirilik.
Ai iu referua edhe mendimit të Komisionit të Venecias dhe 13 iniciativave të dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
24 Shkurt 2026 – “Çështja është mbyllur”
Më 24 shkurt, Filkov deklaroi se debati për provimin në gjuhën shqipe duhet të konsiderohet i përfunduar.
“Mendoj se ajo çështje është mbyllur. Provimi i jurisprudencës është provim profesional, nuk është proces administrativ. Nuk kemi më për çfarë të komentojmë”, tha ai.
26 Shkurt 2026 – Përplasje në Kuvend me BDI-në
Gjatë seancës për pyetje parlamentare, Filkov iu kundërvu deputetes së Dijana Toska, duke përsëritur se korniza aktuale ligjore nuk lejon zhvillimin e provimit në shqip.
Ai theksoi se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative, prandaj sipas tij duhet të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.
Filkov kritikoi ashpër edhe ish-pushtetin, duke pyetur publikisht se çfarë kishin bërë “tetë ministrat e drejtësisë të BDI-së” për ta zgjidhur këtë çështje gjatë dy dekadave të fundit.
“Koha e nacional-romantizmit ka përfunduar, sot do të punohet sipas Kushtetutës dhe ligjit”, deklaroi ai.
Për ta dëshmuar, sipas tij, korrektësinë institucionale, Filkov prezantoi në Kuvend edhe një certifikatë dygjuhëshe të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë, por mbeti i prerë se nuk do të lejojë ndryshime në procedurat për provimet profesionale.
Qëndrim i pandryshuar gjatë gjithë debatit
Ndryshe nga deklaratat shpesh të ndryshueshme të kryeministrit Mickoski, ministri Igor Filkov gjatë gjithë debatit mbajti një vijë të njëjtë politike dhe juridike: se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pa ndryshime të qarta ligjore dhe kushtetuese. Gazeta Flaka
















