Pas bllokimit të studentëve nga Tirana, paralizohet edhe kufiri me Kosovën
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës ka njoftuar se sistemi i regjistrimit të hyrje-daljeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka rënë, duke detyruar autoritetet maqedonase të ndalin përkohësisht qarkullimin në pikat kufitare.
Sipas njoftimit, janë ndërprerë hyrje-daljet e personave, veturave dhe autobusëve, ndërsa në disa pika kufitare janë krijuar kolona të gjata.
“Ju rekomandojmë që të shfrytëzoni PKK Stançiq-Bellanovc apo PKK Glloboqicë. Për çdo ndryshim do t’u njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës.
Situata vjen në ditën kur në Shkup, nga ora 16:30, është paralajmëruar protesta e studentëve shqiptarë për garantimin e përdorimit të gjuhës shqipe.
Ndërkohë, raportimet për bllokada në kufi janë shtuar edhe pas ndalimit të një autobusi me studentë nga Universiteti i Tiranës në pikën kufitare të Bllatës. Studentët po udhëtonin drejt Shkupit për të shprehur mbështetje ndaj protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Sipas informacioneve paraprake, autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë sqarime zyrtare për arsyet e ndalimit, ndërsa studentët kanë mbetur për një kohë të gjatë në pritje në kufi.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarë dhe aktivistë e kanë cilësuar situatën si të papranueshme, sidomos në një moment kur kërkesat e studentëve shqiptarë për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës kanë marrë mbështetje të gjerë publike. Gazeta Flaka
















