Protesta masive në Shkup sfidon thirrjet e VLEN-it dhe qeverisë: Studentët nuk u bindën nga premtimet “së shpejti”
Pavarësisht mesazheve dhe takimeve urgjente të liderëve të VLEN-it me kryeministrin Hristijan Mickoski, protesta e studentëve shqiptarë në Shkup u zhvillua masivisht, me pjesëmarrje nga të gjitha anët e vendit, por edhe nga Shqipëria dhe Kosova.
Një natë para protestës, liderët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, publikuan në sinkronizim në rrjetet sociale mesazhin: “Provimi i jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe! Së shpejti me lajme të mira.”
Megjithatë, mesazhet e tyre nuk duket se bindën studentët protestues, të cilët dolën në rrugë dhe mbajtën protestën e paralajmëruar, duke kërkuar jo premtime, por zbatim konkret të të drejtave të garantuara me ligj.
Tre orë para protestës, kryeministri Mickoski zhvilloi takim pune me bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, ku tema kryesore ishte përdorimi i gjuhës shqipe gjatë provimit të Jurisprudencës.
Në komunikatën e Qeverisë thuhej se institucionet “po punojnë në mënyrë aktive për të gjetur zgjidhje” në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Por pikërisht kjo formulë ka nxitur reagime në opinion, pasi shumë qytetarë dhe studentë shtrojnë pyetjen: pse kërkohet “zgjidhje”, kur Ligji për Përdorimin e Gjuhëve tashmë garanton përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe procedurat administrative?
Në protestë dhe në reagimet publike, theksi kryesor ishte se problemi nuk qëndron te mungesa e bazës ligjore, por te mungesa e vullnetit politik për zbatimin e saj.
Takimi në Qeveri u interpretua nga shumë pjesëmarrës si reagim ndaj presionit publik dhe protestës së paralajmëruar, më shumë sesa si hap konkret për zgjidhjen e problemit.
Po ashtu, në takim mungoi ministri i Drejtësisë, institucioni që lidhet drejtpërdrejt me çështjen e provimit të jurisprudencës, gjë që ngriti pikëpyetje shtesë për seriozitetin e pushtetit në trajtimin e kësaj teme.
Në komunikatën zyrtare nuk u publikuan afate konkrete, vendime të qarta apo garanci se studentët shqiptarë do të mund ta japin menjëherë provimin në gjuhën shqipe.
Kjo ka forcuar bindjen te shumë qytetarë se çështja e gjuhës shqipe vazhdon të trajtohet si temë për menaxhim politik, e jo si një e drejtë themelore që duhet të zbatohet pa vonesa. Gazeta Flaka
















