Skandal spiunazhi në Presidencë? Dyshime se sekretet shtetërore dolën jashtë vendit
Skandal i rëndë sigurie ka tronditur institucionet më të larta shtetërore në Maqedonia e Veriut, pasi dyshime për spiunazh dhe nxjerrje të të dhënave konfidenciale nga Kabineti i presidentes Gordana Siljanovska-Davkova kanë ngritur alarmin për degradimin e sigurisë shtetërore dhe kapjen e institucioneve.
Sipas raportimeve të Sloboden Peçat, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit tashmë po zhvillon parahetim për “indikacione të aktiviteteve të palejuara me interes të lartë shtetëror”, pas sinjalizimeve të ardhura nga sektori për krim kompjuterik në MPB.
Në qendër të dyshimeve është një administrator IT në Kabinetin presidencial, për të cilin pretendohet se ka kopjuar, enkriptuar dhe ruajtur të dhëna të ndjeshme nga sistemi informatik shtetëror, ndërsa ekzistojnë dyshime se informacionet mund të kenë përfunduar edhe te shërbime të huaja inteligjente.
Rasti bëhet edhe më alarmues pasi në kallëzimin anonim penal, që sipas mediumit është dorëzuar nga një “grup të punësuarish në MPB”, përmenden dyshime për përfshirje ose mbulim të rastit edhe nga funksionarë të tjerë institucionalë, përfshirë persona nga Agjencia e Inteligjencës dhe Kabineti presidencial.
Sipas pretendimeve, presione politike janë ushtruar edhe ndaj presidentes dhe prokurores që çështja të mbyllet, gjë që hap dilema serioze për funksionimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
Veçanërisht shqetësues mbetet fakti se Prokuroria ende nuk ka siguruar incizimet nga kamerat e sigurisë, megjithëse ato janë kërkuar prej muajsh nga institucionet përgjegjëse. Kjo ka ngritur dyshime për pengim të hetimeve dhe zhdukje të mundshme të provave.
Rasti po shihet si një tjetër tregues i krizës së thellë institucionale në vend, ku edhe sistemi presidencial dhe mekanizmat e sigurisë shtetërore përballen me akuza për infiltrime, rrjedhje informacioni dhe ndërhyrje politike në hetime.
Në mungesë të transparencës dhe përgjegjësisë institucionale, rasti ka nxitur reagime dhe shqetësime për cenimin e sigurisë kombëtare dhe degradimin e besimit në institucionet shtetërore. Gazeta Flaka
















