“Pse ju frikëson gjuha shqipe?” – Mevlan Ademi me akuza të forta ndaj Qeverisë
Organizatori i protestave studentore, Mevlan Ademi, ka reaguar ashpër pas qëndrimeve të vazhdueshme të autoriteteve lidhur me kërkesën e studentëve shqiptarë për provime në gjuhën shqipe në Fakultetin Juridik.
Ademi tha se është e pakuptueshme që ministri Filkov, edhe pas protestës masive studentore, vazhdon të mbajë qëndrim kundërshtues dhe të paraqitet si “mbrojtës i gjuhës maqedone”.
“Unë nuk e di se si Filkov, pas asaj proteste masive, ende vazhdon të mbajë qëndrim kundër dhe të simbolizohet si ‘mbrojtës i gjuhës maqedone’. Ne nuk kemi asgjë kundër gjuhës maqedone, por kemi kundër atyre që e kundërshtojnë gjuhën tonë amtare”, deklaroi Ademi.
Ai kritikoi edhe kryeministrin, duke thënë se insistimi për ta dërguar çështjen në Komisionin e Venecias është vetëm një mënyrë për ta zvarritur problemin.
“Gjithashtu, kryeministri ende insiston që çështja të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe ta zvarrisë edhe më tej këtë padrejtësi ndaj nesh. Pse na mundoni çdo herë? Pse jeni kaq kundër gjuhës shqipe? A ju frikëson aq shumë?”, u shpreh Ademi.
Deklaratat e tij vijnë në vazhdën e tensioneve dhe protestave studentore që kanë shpërthyer ditëve të fundit për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës. Gazeta Flaka
















