Me plisa, flamuj e tupanë – Protestë masive në Tiranë për studentët në Shkup
Studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë mbledhur në sheshin Sheshi Skënderbej në Tiranë, për të vazhduar protestën në mbështetje të bashkëmoshatarëve të tyre në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë të drejtën për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe. Nën moton “Shqiptaria është me Shkupin”, protestuesit kanë marshuar me flamuj kombëtarë, pankarta, plisa dhe tupanë, duke përcjellë mesazhe solidariteti dhe uniteti kombëtar, raporton Gazeta Flaka nga Tirana.
Në mesin e thirrjeve që dominuan protestën ishin: “Ne jemi bashkë”, “Gjuha shqipe, gjuha jonë” dhe “O sa mirë me qen shqiptar!”. Një banderolë e madhe me mbishkrimin “Ne jemi bashkë” spikaste në turmë, ndërsa protesta nisi me interpretimin e himnit kombëtar dhe brohoritje patriotike.
Studentët theksuan se protesta ka karakter qytetar dhe jo politik, duke kërkuar që subjektet politike të mos e instrumentalizojnë kauzën e tyre. Ata njoftuan se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave për përdorimin e gjuhës shqipe në procesin e provimeve dhe në institucionet përkatëse.
Studenti Besar Sejdiu deklaroi se studentët nuk do të ndalen derisa kërkesa të pranohet, duke theksuar se bëhet fjalë për një të drejtë themelore të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
“Derisa të pranohet kërkesa jonë, ne nuk do të ndalemi. Ne kërkojmë që ajo gjuhë të zbatohet. Studentët shqiptarë mësojnë në gjuhën shqipe dhe kur vjen puna te jurisprudenca, provimi nuk bëhet në atë gjuhë. Nuk jemi pro protestave, por nëse nuk kemi zgjidhje tjetër, do t’i bëjmë”, deklaroi ai për mediat.
Ndërkohë, studenti shqiptar Bislimi, i ardhur nga Lyoni i Francës dhe me origjinë nga Kosova, tha se organizatat studentore shqiptare në diasporë janë solidarizuar me protestën.
“Na kanë thirrur shokët dhe kolegët nga Maqedonia për të protestuar këtu. Shqiptarët në RMV janë popull shtetformues dhe kjo nuk është vetëm çështje provimi, por çështje barazie. Kauza jonë është që shqiptarët të jenë të barabartë në Maqedoni”, u shpreh ai.
Sipas organizatorëve, protestës pritet t’i bashkohen qytetarë dhe studentë nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa marshi do të vazhdojë drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë. Gazeta Flaka
















