Opozita shqiptare takon kongresistin amerikan – Osmani: Pa Marrëveshjen e Ohrit rrezikohet stabiliteti
Bujar Osmani ka bërë të ditur se së bashku me përfaqësues të opozitës shqiptare kanë zhvilluar një takim me kongresistin amerikan Keith Self, ku në fokus kanë qenë zhvillimet politike në Maqedonia e Veriut, demokracia multietnike dhe Marrëveshja e Ohrit.
“Sot zhvilluam një takim shumë të rëndësishëm me kongresistin Amerikan Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën. Diskutuam për zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, për sfidat ndaj demokracisë multietnike dhe për rëndësinë e ruajtjes së Marrëveshjes së Ohrit si themel i paqes, stabilitetit dhe orientimit euro-atlantik të vendit”, deklaroi Osmani.
Ai theksoi se gjatë takimit është potencuar rëndësia strategjike e Marrëveshjes së Ohrit për stabilitetin rajonal dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Respektimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit nuk është vetëm çështje e brendshme politike, por interes strategjik për stabilitetin e rajonit dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.
Më herët, takim të ndarë me kongresistin amerikan zhvilluan edhe përfaqësues të Lëvizja Studentore Shqiptare. Aktivisti studentor Mevlan Ademi deklaroi se studentët paraqitën shqetësimet e tyre lidhur me “përpjekjet për cenimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore, të fituara me shumë sakrificë përgjatë këtyre 20 viteve përmes Marrëveshjes së Ohrit”.
Sipas tij, studentët kanë theksuar se nuk do të pranojnë “kthim prapa në çështje që prekin barazinë, dinjitetin, të drejtat dhe identitetin kombëtar”, duke paralajmëruar se cenimi i frymës së bashkëjetesës dhe barazisë mund të sjellë pasoja serioze për të ardhmen euro-atlantike të vendit. Gazeta Flaka
















