Bixhozi në Maqedoninë e Veriut po u merr qytetarëve rreth 3 miliardë euro në vit
Kryetari i Lëvizjes Antibixhoz, Xhemal Abdiu, ka ngritur shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të numrit të qytetarëve që luajnë bixhoz, duke e lidhur këtë trend me shtimin e objekteve të kazinove dhe bastoreve në vend.
Në emisionin “Impakt”, Abdiu tha se krahas zgjerimit të industrisë së lojërave të fatit është rritur dukshëm edhe numri i qytetarëve që frekuentojnë këto objekte.
“Sipas tyre, ky shtet ekziston nga ato 280 milionë euro që i japin këto. Çka dua të them me këtë, në qoftë se dikur është harxhuar 500 milionë euro, tash flitet për afërsisht 3 miliardë euro harxhim vjetor”, deklaroi Abdiu.
Ai vlerësoi se kjo shumë paraqet barrë të rëndë për qytetarët, duke theksuar se miliarda euro po dalin nga buxhetet familjare për lojërat e fatit.
Abdiu ngriti shqetësim edhe për vendndodhjen e objekteve të bixhozit pranë institucioneve arsimore, ndërsa shtoi se miratimi i ligjeve nuk mjafton nëse ato nuk zbatohen në praktikë.
“Këto objekte janë shumë afër objekteve arsimore. Ka edhe diçka tjetër, se ligjet mund të sillen por në qoftëse këto ligje nuk janë të vendosur që të praktikohen është dështim”, tha ai. Gazeta Flaka
















