Industria e automobilave, sektori i përpunimit të metaleve dhe metalurgjia, do të kenë tarifë më të ulët doganore
Qeveria ka miratuar ndryshimet në Ligjin e Tarifës Doganore, me të cilat parashihet ulje e mëtejshme e normave doganore dhe harmonizim i tyre me standardet që zbatohen në Bashkimin Evropian.
Sipas autoriteteve, ndryshimet përfshijnë lëndë të para, repromateriale dhe komponentë që përdoren në kapacitetet prodhuese vendase, me synim rritjen e konkurrueshmërisë eksportuese dhe përforcimin e industrisë përpunuese.
Këto masa paraqesin vazhdim të reformave të nisura vitin e kaluar, kur nga 1 korriku 2025 normat doganore u reduktuan deri në 50 për qind të nivelit të tarifave të Bashkimit Evropian.
Qeveria vlerëson se ndryshimet janë në përputhje me Programin e punës 2024–2028 dhe synojnë harmonizimin gradual të politikës doganore me standardet evropiane, duke marrë parasysh nevojat e ekonomisë vendase dhe rrjedhat eksport-import.
Ndryshimet janë përgatitur në konsultim me odat ekonomike dhe komunitetin e biznesit, ndërsa fokusi kryesor mbetet mbështetja e industrive prodhuese dhe rritja e konkurrencës.
Propozimligji parasheh harmonizim të plotë të një pjese të normave doganore me ato të Bashkimit Evropian, duke respektuar njëkohësisht rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Sipas pritjeve, përfituesit kryesorë të masës do të jenë industria e automobilave, sektori i përpunimit të metaleve dhe metalurgjia, ku pritet ndikim pozitiv në eksport, investime, hyrje të devizave dhe hapje të vendeve të reja të punës.
Autoritetet vlerësojnë se ulja e normave doganore për 70 mallra do të ketë ndikim afatgjatë në rritjen ekonomike, prodhimin industrial dhe fuqizimin e eksportit. Gazeta Flaka
















