“Nuk do ta shfuqizojmë gjuhën shqipe” – Kostadinovski pranon se ligji mund të “hekuroset”
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ka dërguar disa mesazhe të forta politike dhe juridike, duke akuzuar në mënyrë indirekte klasën politike për presione ndaj sistemit kushtetues dhe duke paralajmëruar se Gjykata nuk do të jetë më “rehatia” e politikës.
Në një intervistë për “Nova Makedonija”, Kostadinovski deklaroi se nervozizmi i shtuar i politikës ndaj punës së Gjykatës Kushtetuese është dëshmi se institucioni ka dalë nga, siç e quajti ai, “letargjia dhe kompromiset” e dekadave të kaluara.
“Kur politika dëshiron një gjykatë të bindur, atëherë problemi është me Kushtetutën, jo me gjyqtarët”, deklaroi ai, duke shtuar se një gjyqësor i nënshtruar ka prodhuar krizë të sundimit të ligjit dhe mosbesim qytetar.
Një nga pjesët më intriguese të deklarimeve të tij lidhet pikërisht me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, ku Kostadinovski pranon se vonesat shumëvjeçare dhe rrethanat që e kanë shoqëruar procesin krijojnë perceptim të ndikimit politik.
Ai përmendi mungesën e kuorumit të plotë, anulimin e mandatit të një gjyqtareje kyçe dhe zvarritjet institucionale si faktorë që e kanë shtyrë vendimmarrjen për vite të tëra, duke lënë të kuptohet se sistemi ka funksionuar nën presion të vazhdueshëm politik.
Megjithatë, ai mohoi kategorikisht pretendimet se Gjykata Kushtetuese synon shfuqizimin e gjuhës shqipe.
“Është gënjeshtër dhe manipulim i rëndë se Gjykata Kushtetuese do ta anulojë ose shfuqizojë gjuhën shqipe. Jo, kjo nuk është e vërtetë”, tha ai.
Një tjetër sinjal i fortë politik ishte paralajmërimi i tij për “ndjekje politike” pas vendimmarrjes për këtë çështje, duke lënë të kuptohet se presionet ndaj Gjykatës pritet të intensifikohen sapo procesi të mbyllet.
Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi edhe nisjen e një projekti të ri kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme, duke argumentuar se manipulimet publike rreth Gjykatës Kushtetuese po dëmtojnë debatin demokratik dhe besimin institucional. Gazeta Flaka
















