Përplasje të reja politike në Maqedoninë e Veriut për ndryshimet kushtetuese dhe rrugën drejt BE-së
Vazhdojnë përplasjet mes partive të bllokut maqedonas lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, shkruan Gazeta Flaka.
Nga opozita LSDM theksojnë se pa përfshirjen e pakicave në Kushtetutë, vendi nuk mund të avancojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sipas tyre, kanë mbetur vetëm pak ditë deri më 1 qershor, afat që, sipas LSDM-së, kryeministri Hristijan Mickoski e kishte përmendur si moment kyç për përmbushjen e Agjendës së Reformave dhe detyrimeve evropiane.
LSDM pretendon se nga 10 pikat e agjendës janë përmbushur vetëm dy, ndërsa çështja kryesore, ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e komuniteteve, mbetet e pazgjidhur. Ata paralajmërojnë se pa këtë hap nuk do të ketë vazhdim të negociatave me BE-në, hapje të kapitujve të rinj apo fonde të reja evropiane.
Në reagim, VMRO-DPMNE akuzon kryetarin e LSDM-së Venko Filipçe se mbështet ndryshime kushtetuese që, sipas tyre, mund të çojnë në cenim të identitetit maqedonas dhe rishikim të historisë. Zyrtarë të kësaj partie e kanë quajtur atë të afërt me interesa të jashtme, përfshirë aktorë politikë nga Bullgaria, duke pretenduar ndërhyrje në procesin e brendshëm politik.
VMRO-DPMNE thekson se nuk do të lejojë, siç shprehen, “bullgarizimin” e figurave historike dhe se Maqedonia e Veriut duhet të ruajë gjuhën dhe identitetin e saj kombëtar.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se pret ide të reja nga vizita e ardhshme e presidentit të Këshillit Evropian António Costa për tejkalimin e pengesave në rrugën eurointegruese të vendit. Ai i ka cilësuar kërkesat aktuale si dypalëshe dhe të papranueshme nëse prekin identitetin e shtetit.
Mickoski ka theksuar se qëndrimi i qeverisë mbetet i pandryshuar dhe se nuk mund të ketë lëshime në çështjet e identitetit, duke shtuar se çdo zgjidhje duhet të jetë e pranueshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Debati politik mbetet i hapur, ndërsa procesi i integrimit në BE vazhdon të jetë një nga temat më të tensionuara në skenën politike të vendit. Gazeta Flaka
















