Tetovë: Përgatitet shitja e pronave publike për 1 euro, akuza vjen nga BDI
BDI – Dega në Tetovë ka akuzuar kryetarin e Komunës së Tetovës dhe shumicën VMRO–VLEN për, siç thuhet në reagim, një “plan të rrezikshëm për shitjen e pronës publike në qytet”.
Sipas deklaratës së zëdhënëses Lindita Aliu, pas shitjes së mëparshme të Monopolit dhe parkingut te Tregu i Gjelbër, është miratuar Programi për menaxhimin e tokës ndërtimore për vitin 2026, i cili parasheh shitjen e 21 parcelave me mbi 56 mijë metra katrorë tokë publike.
Në listën e parcelave të përmendura nga BDI përfshihen parkingu te Vero, hapësira pranë Qendrës Sportive, si dhe tokë në Saraqinë dhe Reçicë të Vogël, ku banorët kanë kërkuar ndërtimin e një çerdheje.
BDI pretendon se prona publike po shitet me çmime të ulëta dhe se pas këtij procesi qëndrojnë interesa të lidhura me pushtetin lokal. Në reagim theksohet se “prona publike nuk është pronë personale e askujt, por e qytetarëve të Tetovës”.
Partia paralajmëron se në ditët në vijim do të publikojë informacione të tjera lidhur me këtë çështje dhe se do të ndërmarrë edhe hapa ligjorë ndaj, siç i cilëson, keqpërdorimeve të mundshme të pronës publike në komunë. Gazeta Flaka
















