Moti sot me diell, por pasdite priten reshje shiu dhe bubullima
Sot vendi pritet të ketë mot të ndryshueshëm, me periudha me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare gjatë ditës. Megjithatë, sipas parashikimeve meteorologjike, në orët e pasdites do të ketë paqëndrueshmëri të atmosferës me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar në disa zona.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi perëndimor me intensitet të dobët deri mesatar, ndërsa në disa rajone mund të shoqërohet edhe me ndryshime të shpejta të kushteve atmosferike.
Në Shkup, moti gjatë paradites do të jetë kryesisht stabil me diell dhe vranësira të lehta deri mesatare. Pasdite, në disa pjesë të luginës ekziston mundësia për reshje afatshkurtra shiu dhe bubullima, të shoqëruara me erë veriperëndimore të dobët deri mesatare.
Temperaturat e ditës pritet të lëvizin nga 9 deri në 34 gradë Celsius, duke sjellë një kontrast të theksuar mes mëngjesit të freskët dhe pasdites më të nxehtë.
Sipas parashikimeve, deri në fund të javës së punës do të vazhdojë moti i paqëndrueshëm, me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell në mëngjes, ndërsa pasditet do të karakterizohen nga reshje lokale shiu, bubullima dhe erë e përforcuar në disa rajone.
Flaka
















