“Kur jemi bashkë, jemi më të fortë”, Ahmeti përshëndet bashkimin e forcave politike shqiptare në Mal të Zi
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përshëndetur bashkimin e forcave politike shqiptare në Mal të Zi nën një subjekt të vetëm politik, Forumi Shqiptar, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve.
Përmes një reagimi publik, Ahmeti vlerësoi se uniteti mbetet rruga më e sigurt për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, duke theksuar se interesat e qytetarëve duhet të jenë mbi dallimet partiake.
“Ky hap i rëndësishëm dëshmon se uniteti është rruga më e sigurt për mbrojtjen e interesave kombëtare, forcimin e përfaqësimit politik dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, shkroi Ahmeti.
Ai shtoi se bashkimi rreth vlerave dhe objektivave të përbashkëta ka qenë gjithmonë çelësi i suksesit kombëtar, ndërsa uroi që ky organizim i ri politik të sjellë më shumë sukses dhe një zë më të fuqishëm për shqiptarët në Mal të Zi.
“Kur jemi bashkë, jemi më të fortë”, përfundoi Ahmeti në mesazhin e tij.
















