Fetai: Largohem me kokën lart dhe ndërgjegje të pastër
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, deri sot, Arben Fetai, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga detyra, duke bërë të ditur se vendimin ia ka dorëzuar kryeministrit të vendit.
Në një deklaratë publike, Fetai tha se gjatë dy viteve në këtë funksion ka punuar me përkushtim në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, edhe pse pranoi se rezultatet nuk kanë qenë të plota.
“Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë”, deklaroi Fetai.
Ai theksoi se nuk është plotësisht i kënaqur me arritjet, por shtoi se ka vepruar me përkushtim maksimal për të vendosur themele të qëndrueshme institucionale.
“A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo… por kam punuar me përkushtimin maksimal”, u shpreh ai.
Fetai tha se largohet me “kokën lart dhe ndërgjegje të pastër”, duke e cilësuar vendimin si të mirëmenduar dhe të bazuar në rrethanat aktuale.
Ai falënderoi bashkëpunëtorët, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe qytetarët për mbështetjen gjatë mandatit të tij, duke theksuar se shërbimi publik nuk përfundon me largimin nga posti.
“Shërbimi ndaj interesit publik nuk mbaron kur mbaron funksioni”, theksoi Fetai në mesazhin e tij.
















