Dënim me kusht për truprojën e kryeministrit Mickoski
Gjykata Themelore Penale ka shqiptuar dënim me kusht ndaj Rade Ristoskit, pjesëtar i sigurimit të kryeministrit, i akuzuar për dhunë në familje, pasi i pandehuri ka pranuar fajësinë në seancën e sotme dëgjimore.
Sipas vendimit gjyqësor, Ristoski është dënuar me 1.6 vite burgim me kusht, që nuk do të ekzekutohet nëse brenda tre viteve të ardhshme nuk kryen vepër tjetër penale, raporton gjykata, transmeton Portalb.mk.
Më herët, i pandehuri kishte qëndruar tetë ditë në paraburgim pas denoncimit të bashkëshortes së tij për dhunë në familje.
Sipas buletinit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur më 2 maj, kur gruaja e tij 37-vjeçare ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht në shtëpinë familjare, si dhe se ishte kërcënuar dhe i ishte dëmtuar telefoni celular.
“Më 2 maj në orën 23:00, zyrtarët e policisë nga SPB Shkup e privuan nga liria R.R. nga Shkupi, duke vepruar në bazë të një raporti të mëparshëm nga gruaja e tij 37-vjeçare”, thuhej në buletinin e MPB-së.
Sipas informacioneve, Ristoski është pjesë e sigurimit të kryeministrit dhe ka ushtruar detyrë si pjesë e ekipit të sigurimit, përkatësisht si pararojë.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë për rastin, ndërsa procedura gjyqësore është mbyllur me pranimin e fajësisë. Gazeta Flaka
















