Ish-presidenti akuzon pushtetin: Po manipulohet me frikën për BE-në dhe identitetin
Ish-presidenti Stevo Pendarovski ka akuzuar VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin qeverisës për, siç tha ai, krijim të një narrative të qëllimshme politike rreth ndryshimeve kushtetuese dhe procesit të integrimit evropian, duke vlerësuar se pushteti aktual po vazhdon retorikën parazgjedhore për arsye politike.
Në emisionin “360 shkallë”, Pendarovski deklaroi se pretendimet se ndryshimet kushtetuese janë vetëm fillimi i bllokadave të reja nga Bullgaria nuk qëndrojnë dhe se në Kornizën Negociuese nuk ekziston mekanizëm që, sipas tij, cenon identitetin maqedonas.
“Propozimi francez, praktikisht korniza negociuese evropiane, ishte pa asnjë rrezik për identitetin maqedonas”, deklaroi Pendarovski.
Ai theksoi se çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian mund të vendosë kushte shtesë gjatë negociatave, por shtoi se në dokumentet ekzistuese nuk ka dispozita që lidhin çështjet historike me ndalimin e procesit integrues.
“Askund në protokolle nuk thuhet se nëse nuk zgjidhen polemikat historike, vendi nuk mund të bashkohet me BE-në”, u shpreh ish-presidenti.
Pendarovski akuzoi gjithashtu VMRO-DPMNE-në se gjatë fushatës zgjedhore ka ndërtuar narrativa të pasakta për të ruajtur mbështetjen politike, duke argumentuar se çështja e identitetit është përdorur si instrument politik.
“Është një gënjeshtër politike e ndërtuar për të ruajtur vlerësimet e këtij koalicioni qeverisës”, tha Pendarovski.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur debati për ndryshimet kushtetuese dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian vazhdon të mbetet një nga temat kryesore politike në vend. Gazeta Flaka
















