Debati për jurisprudencën vazhdon: Robelli dhe Selmani kritikojnë modelin e propozuar
Debati për organizimin e provimit të jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut po vazhdon të nxisë reagime të shumta, ndërsa gazetari shqiptar në Zvicër, Enver Robelli, dhe përfaqësues politikë nga opozita shqiptare kanë kritikuar ashpër propozimin që teoria të zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase.
Në një reagim publik, Robelli kërkoi që provimi të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe për studentët shqiptarë, duke kundërshtuar çdo model të pjesshëm.
“Krejt, pra komplet, provimi i jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut duhet të jepet në gjuhën shqipe nga studentët shqiptarë. Përpjekjet për të ofruar zgjidhje të tipit ‘teoria shqip, praktika maqedonisht’ duhet të refuzohen me përçmim”, shkroi Robelli.
Ai kritikoi gjithashtu përfaqësues të koalicionit VLEN, duke pretenduar se po ofrojnë zgjidhje të pjesshme, ndërsa ngriti pyetje edhe për partitë shqiptare që kanë qenë më parë në pushtet lidhur me moszgjidhjen e kësaj çështjeje ndër vite.
Reagime pati edhe nga Nafie Selmani, e cila akuzoi VLEN-in për, siç tha ajo, premtime të papërmbushura dhe qasje gjysmake ndaj çështjes së gjuhës shqipe.
“Provimi i jurisprudencës, sipas zgjidhjes së VLEN-it: teoria në shqip, praktika në maqedonisht. Pra, gjysmë-gjysmë, njësoj siç funksionojnë vetë me dy gjysmë-kryetarë”, deklaroi Selmani.
Sipas saj, çështja e provimit të jurisprudencës tashmë ka kaluar dimensionin akademik dhe është shndërruar në debat politik mbi trajtimin e gjuhës shqipe dhe barazinë në institucione.
Debati për këtë çështje vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara në opinionin publik shqiptar, ndërsa deri tani nuk ka një qëndrim përfundimtar institucional për modelin e zbatimit të provimit. Gazeta Flaka
















