“Zbatoni ligjin – pikë” – Mevlan Ademi kundër modelit të propozuar nga qeveria për provimin e jurisprudencës
Debati për mënyrën e organizimit të provimit të jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut po vazhdon të nxjerrë reagime të ashpra nga përfaqësues studentorë, gazetarë dhe figura politike shqiptare.
Këtij debati i është shtuar edhe qëndrimi i përfaqësuesit të Këshillit Protestues të Studentëve, Mevlan Ademi, i cili ka refuzuar kategorikisht idenë e një zgjidhjeje të pjesshme për provimin e jurisprudencës, përfshirë propozimin që teoria të zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase.
Ademi thekson se çdo model i tillë është i papranueshëm dhe bie ndesh me të drejtat ekzistuese ligjore të shqiptarëve.
“Ende pa parë një draft zyrtar, një gjë është e qartë. Çdo tentativë për të ofruar një zgjidhje të pjesshme, një ‘semi-zgjidhje’ apo një rrugë anash Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është e papranueshme. Gjuha shqipe nuk është çështje negociate. Nuk është favor. Nuk është kompromis. Është e drejtë kushtetuese dhe ligjore”, deklaron Ademi.
Ai shton se nuk ka nevojë për interpretime të reja apo mekanizma shtesë, duke kërkuar zbatim të drejtpërdrejtë të ligjit.
“Zgjidhja nuk duhet shpikur. Ajo ekziston. Zbatoni ligjin. Pikë”, përfundon ai.
Propozimi i zëvendëskryeministrit dhe reagimet
Debati është nxitur pas propozimeve të zëvendëskryeministrit Bekim Sali, i cili ka sugjeruar që provimi i jurisprudencës të organizohet në mënyrë të ndarë: teoria në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase.
Ky propozim ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga figura publike dhe politike shqiptare, të cilët e kanë cilësuar atë si “zgjidhje të pjesshme” dhe jo në përputhje me barazinë gjuhësore.
Gazetari në Zvicër, Enver Robelli, ka kërkuar që provimi të zhvillohet plotësisht në gjuhën shqipe për studentët shqiptarë, duke kundërshtuar çdo formulë kompromisi.
Ndërkohë, Nafie Selmani ka kritikuar ashpër propozimin, duke e cilësuar si “gjysmë-gjysmë zgjidhje” dhe të papranueshme për barazinë gjuhësore.
Edhe Sefer Selimi ka reaguar duke theksuar se “asgjë më pak se zbatimi i plotë i nenit 23 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe Amendamentit V të Kushtetutës nuk është e pranueshme”.
Kritika politike nga BDI
Në debatin e ndezur është përfshirë edhe Bujar Osmani, i cili ka kritikuar ashpër qasjen e koalicionit VLEN, duke e quajtur propozimin për provimin e jurisprudencës dhe ligjin për përfaqësim të drejtë si “të turpshëm” dhe me pasoja politike.
Osmani ka deklaruar se “sa më shumë përpiqen ta arsyetojnë të paarsyetueshmen, aq më i madh bëhet dëmi”, duke kërkuar ndalimin e përshkallëzimit të situatës.
Një debat ende i hapur
Pavarësisht reagimeve të shumta, deri tani nuk ka një qëndrim përfundimtar institucional mbi mënyrën se si do të organizohet provimi i jurisprudencës.
Çështja vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme politike dhe juridike në vend, duke u fokusuar kryesisht në interpretimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe barazinë institucionale të gjuhës shqipe. Gazeta Flaka
















