Debat i ashpër për Badenterin në Kuvend, Selimi: U cenua thelbi i mekanizmit mbrojtës

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Qershor, 2026 13:28 Përditësuar

Debat i ashpër për Badenterin në Kuvend, Selimi: U cenua thelbi i mekanizmit mbrojtës

Debat i ashpër politik ka shpërthyer lidhur me mënyrën e votimit të Propozim-Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili pritet të kalojë me të ashtuquajturin “Badenter të vogël”, respektivisht me shumicën e votave të deputetëve jomaqedonas të pranishëm në seancë, e jo me shumicë absolute të të gjithë deputetëve jomaqedonas.

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, në një konferencë për media në Kuvend, e prezantoi ligjin si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe forcimit të karakterit multietnik të shtetit.

“Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues dhe jo privilegj politik. Për gati 23 vite kjo çështje mbeti pa ligj të veçantë. Kishim arnime, mekanizma të përkohshëm dhe interpretime të ndryshme, por asnjëherë ligj”, deklaroi Azizi.

Sipas tij, pas shfuqizimit të balancuesit nga Gjykata Kushtetuese, u krijua nevoja për një zgjidhje të re ligjore që do të garantonte zbatimin e këtij parimi kushtetues.

Nga ana tjetër, reagimet nga BDI kanë qenë të ashpra. Blerim Bexheti drejtoi akuza të rënda ndaj Adnan Azizit, me pretendimin se po manipulon procesin e votimit, nga mos dija apo nga dirigjim politik.

Kryesuesi i Komitetit Adnan Azizi, kërkoi që të votohet për një propozim, ndërsa kjo hasi në reagimin e deputetëve të opozitës. Blerim Bexheti nga Fronti Evropian dhe Fatmir Bytyqi i LSDM-së kundërshtuan propozimin e Azizit.

Pas reagimit të deputetëve të opozitës Azizi, tha se do ta vendos në votim fillimisht propozimin e opozitës, ndërsa theksoi se këtë ata e bëjnë vetëm për spektakël.

“Deputetët shqiptarë sot duhet të tejkalojnë partitë dhe të votojnë si shqiptarë, për brezat që vijnë pas. Votimi i dyfisht, apo parimi i Badenterit është mekanizëm që mbron nga majorizimi. Çdo ligj e veçanërisht ligjet që prekin të drejtat e bashkësive duhet të miratohen vetëm me Badenter absolut”, tha lideri i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela.

“Sot në Kuvend theksova se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat duhet të kalojë me Badenter të Madh, duke respektuar rëndësinë e tij për barazinë dhe të drejtat e komuniteteve. Çdo tentativë për ta kaluar me Badenter të Vogël, siç synojnë VLEN dhe VMRO, është cenim i frymës së barazisë dhe i të drejtave të fituara”, tha deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti.

Analisti Sefer Selimi vlerëson se me mënyrën e zgjedhur të votimit është cenuar vetë thelbi i mekanizmit mbrojtës të Badenterit.

“Sot u shkel në thelb dhe në qëllim parimi i Badenterit. Nuk është vetëm një votim më shumë në Kuvend, por një hap prapa nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit dhe garancitë kundër majorizimit”, ka deklaruar Selimi.

Ai paralajmëroi se precedenti i krijuar mund të përdoret edhe në të ardhmen për të anashkaluar mekanizmat mbrojtës të komuniteteve joshumicë.

Kritika të forta ka pasur edhe për mënyrën e procedimit të ligjit, me akuza se pushteti po tenton ta kalojë atë në mungesë të një pjese të deputetëve shqiptarë.

“Duke e ditur se nuk e kanë shumicën e dyfishtë që garanton mbrojtje nga majorizimi, duan ta votojnë ligjin me shumicë të dyfishtë, por të thjeshtë numerikisht, duke pritur momentin kur në sallë nuk do të jenë të gjithë deputetët shqiptarë”, thuhet në reagimet kritike të publikuara gjatë debatit.

Imrane Veliu Aliu nga BDI, komentoi zhvillimet në kuvend duke thënë qëk uvendi, institucioni që duhet të pasqyrojë nivelin më të lartë të dijes, maturisë dhe përgjegjësisë, shpesh nxjerr në pah paditurinë, papjekurinë dhe mungesën e kulturës demokratike të individëve që, fatkeqësisht, janë zëri dhe përfaqësuesit e popullit.

“Debati i fundit rreth mënyrës së votimit të Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat dëshmoi edhe një herë se për disa më e rëndësishme është aritmetika politike sesa fryma e barazisë dhe konsensusi që duhet të shoqërojë çështjet që prekin të drejtat e komuniteteve. Akoma më shqetësuese është heshtja ose pajtimi i atyre që morën besimin e qytetarëve duke premtuar se do të ishin mburojë e interesave shqiptare. Sepse kur parimet zëvendësohen me kalkulime politike, humbësi i vetëm mbetet vetëm besimi i qytetarëve. Mos të nxitohemi. Ndoshta në fund do të na bindin se në fakt kjo ishte fitore dhe nuk po e kuptonim strategjinë!”, tha ajo.

Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat konsiderohet një prej çështjeve më sensitive politike, pasi lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe mekanizmave të përfaqësimit etnik në institucionet shtetërore.

Mbetet të shihet nëse përplasjet politike do të ndikojnë edhe në procesin final të votimit në Kuvend. Gazeta Flaka

8
SONDAZHI

Sa mendoni se Qeveria aktuale në Shkup po punon për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian?

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Qershor, 2026 13:28 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
8
SONDAZHI

Sa mendoni se Qeveria aktuale në Shkup po punon për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?