LSDM: Mickoski po i gënjen qytetarët për BE-në, Mucunski: Nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese pa garanci
Përplasjet politike rreth rrugës eurointegruese të Maqedonisë së Veriut po vazhdojnë, pasi opozitarja LSDM dhe Qeveria kanë interpretime të ndryshme për mesazhet e ardhura nga Brukseli pas vizitës së Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Nga LSDM thonë se deklaratat e Costa-s dhe raporti i fundit i raportuesit për vendin në Parlamentin Evropian, Thomas Weitz, përbëjnë dy konfirmime të forta për atë që, sipas tyre, e kanë paralajmëruar prej muajsh – se pa ndryshime kushtetuese nuk ka avancim në procesin eurointegrues.
“Costa tha qartë dhe pa mëdyshje se ndryshimet kushtetuese janë kushti i vetëm për hapjen formale të negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian. Nuk ka ‘garanci shtesë’, nuk ka ‘kornizë të re negociuese’ dhe as ‘ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar’. Këto ishin gënjeshtra me të cilat Hristijan Mickoski manipuloi opinionin”, thonë nga LSDM.
Sipas opozitës, raporti i fundit i Thomas Weitz po ashtu evidenton mungesën e progresit në sundimin e ligjit, reformat gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit.
“E vërteta tani është në shesh. Mickoski dhe grupi i tij nuk duan integrimin evropian sepse BE sjell institucione të forta, standarde evropiane dhe llogaridhënie”, shtojnë nga LSDM.
Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka theksuar se Qeveria mbetet fuqishëm e orientuar drejt integrimeve evropiane, por vlerëson se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet për ndryshime kushtetuese.
“Ne mbetemi me një orientim të qartë strategjik në politikën e jashtme, por gjithashtu mbajmë fort qëndrimin se në këtë moment nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese. Kushtet mund të krijohen përmes ndërtimit të besimit të ndërsjellë dhe përmes garancive institucionale”, deklaroi Mucunski.
Ai shtoi se shqetësimi kryesor lidhet me pritjet ndaj Bullgarisë për respektimin e detyrimeve që burojnë nga e drejta ndërkombëtare dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Duke komentuar deklaratat e Antonio Costa gjatë vizitës në Shkup, Mucunski tha se nuk kishte dëgjuar një deklaratë aq eksplicite sa interpretohet nga opozita, por nënvizoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj reformave evropiane.
“Jam i kënaqur që Costa deklaroi publikisht atë që Qeveria e ka thënë prej kohësh – se ekziston një qeveri e përkushtuar ndaj reformave evropiane dhe orientimit strategjik euroatlantik”, tha Mucunski.
Debati për ndryshimet kushtetuese mbetet një nga temat më polarizuese në skenën politike, ndërsa pozicionet mes pushtetit dhe opozitës vazhdojnë të jenë diametralisht të kundërta për rrugën drejt BE-së. Gazeta Flaka
















