ASH: Zgjidhja e propozuar për provimin e jurisprudencës krijon standard të dyfishtë për studentët shqiptarë
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit Bekim Sali dhe përfaqësuesve të VLEN-it lidhur me provimin e jurisprudencës, duke vlerësuar se modeli i propozuar nuk përfaqëson zgjidhje të plotë dhe nuk garanton trajtim të barabartë për studentët shqiptarë.
Sipas ASH-së, lejimi i dhënies së pjesës teorike të provimit në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike mbetet në gjuhën maqedonase, krijon standard të dyfishtë dhe pengesa shtesë për kandidatët që kanë kryer studimet juridike në gjuhën shqipe.
“Nuk bëhet fjalë për zgjidhje të plotë, por për një model gjysmak – teoria në shqip, praktika në maqedonisht. Kjo nuk është zbatim i së drejtës së studentëve, por përpjekje për ta paraqitur si zgjidhje një përkufizim të ri”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga ASH theksojnë se studentët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje politike, por mundësi që provimin profesional ta japin në gjuhën në të cilën janë arsimuar.
“Provimi i jurisprudencës nuk është test gjuhe. Është provim profesional për dije juridike, aftësi analitike dhe zbatim të së drejtës”, argumentojnë nga partia.
Aleanca për Shqiptarët kërkon ndërhyrje në Ligjin ekzistues për provimin e jurisprudencës, me dispozitë të qartë që garanton zhvillimin e të gjithë provimit – teorik dhe praktik – edhe në gjuhën shqipe.
Partia kërkon që Ministria e Drejtësisë të përgatisë menjëherë ndryshimet ligjore, ndërsa Kuvendi t’i procedojë me prioritet.
Sakaq, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka kritikuar ashpër Propozim-ligjin për lojërat e fatit gjatë debatit në komisionin amë, duke vlerësuar se zgjidhjet e propozuara nuk sjellin ndryshime thelbësore krahasuar me draftet e mëparshme.
Sipas Snopçes, partitë që sot janë në pushtet po mbështesin zgjidhje të ngjashme me ato që më herët i kundërshtonin publikisht.
“Premtimi për mbylljen e kazinove nuk po realizohet, ndërsa bastoret vazhdojnë të përjashtohen nga kufizimi prej 500 metrash larg shkollave”, theksoi Snopçe.
Ai ngriti shqetësime edhe për lojërat online të fatit, duke argumentuar se ato jo vetëm që nuk po kufizohen, por do të vazhdojnë të funksionojnë nën menaxhim shtetëror.
Deputeti opozitar kritikoi gjithashtu vazhdimin e reklamimit të industrisë së lojërave të fatit në sport, duke vlerësuar se kjo rrit ekspozimin e fëmijëve dhe të rinjve ndaj bixhozit.
Snopçe paraqiti edhe të dhëna ekonomike, duke theksuar se gjatë vitit 2025 në kazino dhe baste sportive janë qarkulluar rreth 2.83 miliardë euro, ndërsa pasojat sociale dhe ekonomike të varësisë nga bixhozi vazhdojnë të rëndojnë mbi qytetarët.
Ai shtoi se pjesa më e madhe e industrisë menaxhohet nga kompani të huaja, duke argumentuar se një pjesë e konsiderueshme e kapitalit del jashtë vendit. Gazeta Flaka
















